Komisioni Evropian refuzon pezullimin e Paktit të Stabilitetit: Nuk ka recesion të rëndë

Bashkimi Evropian nuk ka ndërmend të pezullojë Paktin e Stabilitetit dhe Rritjes në rrethanat aktuale, pavarësisht tensioneve dhe pasigurive gjeopolitike në rritje. Këtë qëndrim e ka bërë të qartë sot një zëdhënës i Komisionit Evropian, duke hedhur poshtë spekulimet për një devijim të mundshëm të shteteve anëtare nga rregullat strikte të disiplinës fiskale.
I pyetur drejtpërdrejt nga agjencia italiane e lajmeve ANSA mbi mundësinë e një ngrirjeje të përkohshme të Paktit të Stabilitetit, zëdhënësi sqaroi se rregullorja evropiane është e qartë. “Klauzola e përgjithshme e shmangies, e cila i lejon shteteve anëtare të devijojnë nga rruga e tyre e përcaktuar e shpenzimeve neto, mund të aktivizohet vetëm në rast të një rënieje të rëndë ekonomike që prek zonën e euros ose Bashkimin Evropian në tërësi,” theksoi zyrtari i Komisionit.
Kjo klauzolë u përdor për herë të fundit gjatë krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19, për t’u dhënë frymëmarrje ekonomive të bllokuara evropiane, por sipas Brukselit, situata aktuale nuk përmbush kriteret për një masë të tillë ekstreme.
Ndikimi i tensioneve në Lindjen e Mesme
Megjithëse situata makroekonomike evropiane vlerësohet si jo në recesion të rëndë, Brukseli pranon se tensionet gjeopolitike mbeten një faktor rreziku i lartë.
Zëdhënësi shtoi se ekzekutivi evropian po ndjek me vëmendje maksimale zhvillimet e fundit ndërkombëtare, veçanërisht krizën në Lindjen e Mesme, e cila ka potencialin të godasë tregjet globale dhe zinxhirët e furnizimit me energji.
“Ne po e monitorojmë nga afër situatën e paqëndrueshme në Lindjen e Mesme, por, për momentin, nuk jemi në këtë skenar të recesionit të rëndë,” përfundoi ai.
Deklarata rikonfirmon vendosmërinë e Komisionit Evropian për të rikthyer rregullat fiskale dhe për të kërkuar nga shtetet anëtare mbajtjen e deficiteve dhe borxhit publik nën kontroll, pas viteve të shpenzimeve emergjente.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




