Spahiu vizitë tek komuniteti arbëresh në Itali: Një pasuri e çmuar kulturore, ku tradita dhe gjuha shqipe vazhdojnë të përcillen ndër breza

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Klodiana Spahiu, zhvilloi një vizitë zyrtare në Itali, ku ndaloi në Hora e Arbëreshëve, një nga qendrat më të rëndësishme të komunitetit arbëresh.Gjatë qëndrimit të saj, Spahiu zhvilloi një takim të veçantë me kryetarin e bashkisë, Rosario Petta, ku u diskutua mbi forcimin e bashkëpunimit dhe ruajtjen e lidhjeve kulturore mes Shqipërisë dhe komunitetit arbëresh në Itali.
Në vijim të vizitës, ajo mori pjesë në ceremonitë festive të Pashkës, ku dhjetëra arbëreshë dhe bashkëatdhetarë nga vende të ndryshme u mblodhën për të kremtuar këtë ditë të shenjtë. Atmosfera festive u karakterizua duke theksuar traditat e ruajtura ndër shekuj, ku spikaste përdorimi i gjuhës shqipe dhe ritet e veçanta fetare.
Në fjalën e saj, Spahiu vlerësoi rëndësinë e këtyre festimeve si një urë lidhëse mes brezave dhe si një dëshmi e gjallë e identitetit shqiptar jashtë kufijve. Ajo theksoi se komuniteti arbëresh mbetet një pasuri e çmuar kulturore, ku tradita, besimi dhe gjuha shqipe vazhdojnë të jetojnë dhe të përcillen ndër breza.
Vizita në Hora e Arbëreshëvet dhe pjesëmarrja në festimet e Pashkës u cilësuan si një moment i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve shpirtërore dhe kulturore, duke rikthyer vëmendjen te rrënjët dhe përkatësia kombëtare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




