Pavarësisht armëpushimit, Izraeli iu bën thirrje banorëve në Liban që të evakuohen menjëherë

Botë | 7 muaj më parë

Ushtria izraelite, IDF ka lëshuar një urdhër të ri evakuimi për njerëzit që jetojnë në qytetet në jug të Libanit.

Ajo u ka kërkuar banorëve që të “largohen menjëherë nga shtëpitë e tyre” dhe të zhvendosen në veri të lumit Zahrani “për të garantuar sigurinë e tyre”.

Izraeli më herët ka deklaruar se e mbështet armëpushimin, por se ai “nuk përfshin Libanin”. Megjithatë, Irani dhe kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, i cili ndihmoi në negociimin e armëpushimit, kanë thënë se marrëveshja e përfshin edhe Libanin, ku Izraeli ka qenë në konflikt me Hezbollah.

Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë arritur një marrëveshje për armëpushim të përkohshëm dyjavor, që përfshin si kusht kryesor hapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe ndalimin e veprimeve ushtarake në rajon.

Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar marrëveshjen si një sukses të madh strategjik.

Sekretarja e Shtypit, Karoline Leavitt, deklaroi se operacioni amerikan përmbushi dhe tejkaloi objektivat ushtarake brenda 38 ditësh, duke theksuar se kjo marrëveshje u bë e mundur nga presidenti Donald Trump dhe ushtria amerikane.

Nga ana tjetër, udhëheqja iraniane ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të luftimeve. Sipas një deklarate të transmetuar nga IRIB, të gjitha njësitë ushtarake duhet t’i binden urdhrit për ndërprerjen e zjarrit, duke e cilësuar këtë si një hap të përkohshëm dhe jo fund të konfliktit.

Ndërkohë, raportime nga Associated Press theksojnë mospërputhje në tekstin e marrëveshjes, ku versioni në gjuhën persiane përfshin elementë që nuk gjenden në variantin anglisht, përfshirë çështjen e pasurimit bërthamor.

Ndërkohë presidenti Trump e cilësoi marrëveshjen si një “ditë të madhe për paqen botërore”, duke shtuar se ajo mund të hapë rrugën për stabilitet ekonomik dhe rindërtim në rajon.

Pas vonesës fillestare, Izraeli deklaroi se mbështet armëpushimin dyjavor, me kusht që Irani të ndalojë sulmet dhe të garantojë sigurinë në rajon, ndërsa theksoi nevojën për eliminimin e kërcënimeve bërthamore.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme