Crespo, elozhe për Lautaro Martinez: Është gjysma e Interit, e ndjen golin!

Futboll Bota | 7 muaj më parë

“Interi po fluturon sërish, i shënoi 5 gola Romës dhe për mua ka vënë duart te titulli. Kush është fytyra në kopertinë? Ajo e Lautaro Martinez. Nuk është rastësi që skuadra rilindi në momentin që kapiteni rigjeti formën pas problemeve fizike. Ai vlen sa gjysma e skuadrës. Jo vetëm për golat, por edhe për gjëra të tjera”.

Janë fjalët e Hernan Crespo, ish-sulmuesit argjentinas të Interit, Milanit, Parmës dhe disa skuadrave të tjera. Tani trajner, në kërkim të një stoli, pas largimit nga San Paolo. Crespo i ka idetë të qarta në lidhje me bashkombasin Lautaro dhe rëndësinë e tij tek Interi.

“E ndjek Lautaron që kur ishte i vogël, tek hapat e parë në Europë. Interi është një ambient që e njoh shumë mirë. Shumë klube të tjera e kanë vlerësuar dhe kërkuar, por ai nuk ka dashur kurrë të shkëputet nga dashuria e tij. Kjo provë besnikërie e ka kthyer në një simbol. Në nivelin teknik, taktik dhe fizik është rritur shumë”, – ka shtuar Crespo.

Ish-sulmuesi pastaj kalon në detaje: “Lautaro e ndjen golin, e sheh portën para se t’i vijë topi. Shembulli është goli i parë ndaj Romës. Thuram bën diçka të bukur në të djathtë dhe ai sulmon shtyllën e parë me një grintë që e kanë vetëm qendërsulmuesit vërtet të uritur. Goli është një pasojë e thjeshtë.

Rezultatet flasin qartë. Me kapitenin në fushë Interi fiton, pa të rrezikon shumë. Kur Interi ka pasur rënie, Lautaro nuk ka qenë në formë, ose ka qenë i dëmtuar. Nuk është vetëm një finalizues, është edhe një shembull për shokët”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme