Kurti: Kryetar në veri bëhesh vetëm me zgjedhje të Republikës së Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se institucionet shtetërore funksionojnë në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim, pas përurimit të zyrës së re të Administratës Tatimore në Mitrovicën e Veriut.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, përfshirë edhe mediave serbe lidhur me demokracinë në veri, Kurti theksoi se vendi po kalon një proces normalizimi. “Ne punojmë për të gjithë qytetarët dhe unë nuk jam mbi ligjin. Koha para qeverisë sonë nuk ka qenë normale. Nuk them se tani është gjithçka normale, por sigurisht se gjithçka po normalizohet”, u shpreh ai.
Ai shtoi se ligji nuk duhet të ndajë qytetarët, por të garantojë barazi dhe drejtësi për të gjithë, duke nënvizuar se institucionet si policia dhe Administrata Tatimore u shërbejnë të gjithëve njësoj dhe në mënyrë profesionale.
I pyetur nëse ka zhvilluar takim me kryetarin e komunës së Mitrovicës së Veriut, Kurti tha se ende nuk ka ndodhur një gjë e tillë, por theksoi se legjitimiteti në komunat veriore buron vetëm nga zgjedhjet në Kosovë. “Në komunat në veri të Ibrit mund të bëhesh kryetar komune apo zyrtar, por vetëm përmes zgjedhjeve në Republikën e Kosovës”, tha ai, duke e cilësuar transferimin e pushtetit si paqësor.
Gjatë qëndrimit në veri, Kurti, i shoqëruar nga ministrat Elbert Krasniqi dhe Xhelal Sveçla, si dhe kryetari i Mitrovicës së Jugut, vizitoi familjen Haradinaj në lagjen e njohur si “Tri Soliteret”, ku një anëtar i familjes humbi jetën në një shpërthim në vitin 2012.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




