Ministri i Drejtësisë Gogu: “Ne bis in idem”, garanci themelore që shteti nuk ndëshkon dy herë për të njëjtin fakt

Politikë | 7 muaj më parë

Ministri i Drejtësisë Toni Gogu mori pjesë sot në konferencën shkencore juridike të organizuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë dhe Dhoma Kombëtare e Avokatisë, me temë “Parimi Ne Bis in Idem në rrafshin kombëtar dhe ndërkombëtar”.

Në fjalën e tij, Ministri Gogu theksoi se ky parim përfaqëson një nga garancitë themelore të shtetit të së drejtës, duke siguruar që askush të mos ndiqet apo ndëshkohet dy herë për të njëjtin fakt.

“Ne bis in idem nuk është vetëm një formulë juridike, por një garanci konkrete për qytetarin, që shteti nuk e përdor forcën e tij dy herë për të njëjtin veprim,” u shpreh ai.

Ministri vuri në dukje se zhvillimet e fundit në jurisprudencën europiane, si nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ashtu edhe nga Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian, po krijojnë një realitet të ri interpretimi për këtë parim.

Sipas tij, sfidat kryesore lidhen me rastet kur një sjellje mund të ndiqet njëkohësisht në rrugë administrative dhe penale, si dhe me situatat ndërkufitare ku një vepër prodhon pasoja në më shumë se një shtet.

“Për Shqipërinë, sfida nuk është vetëm të përafrojë legjislacionin me Bashkimin Evropian, por të sigurojë që këto parime të zbatohen në mënyrë të qëndrueshme dhe në shërbim të qytetarit,” theksoi Ministri.

Ai nënvizoi se kjo kërkon një dialog të vazhdueshëm ndërmjet gjyqtarëve, avokatëve dhe akademisë, duke e konsideruar këtë konferencë si një hap të rëndësishëm në forcimin e standardeve europiane në sistemin shqiptar të drejtësisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme