Berisha pret në zyrë Këshillin Koordinues të Diasporës: Shqipëria përballet me sfida demografike dhe ekonomike

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, priti në një takim një përfaqësi të zgjeruar të Këshillit Koordinues të Diasporës, të përbërë nga Lazim Destani (kryetar i KKD-së), Anila Smørgrav (nënkryetare), Emina Cunmulaj, Drita Gjongecaj, Ira Londo, Mirela Mezani, Brikena Muharremi dhe Rosario Peta.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e diasporës theksuan se një nga kërkesat e tyre për opozitën dhe qeverinë është që në zgjedhjet e ardhshme diaspora të ketë përfaqësim me kandidatë të saj në një zonë elektorale.
Berisha vlerësoi rolin e diasporës, duke e cilësuar historinë e saj si histori suksesi, veçanërisht të vajzave dhe grave shqiptare.
“Pas Kadaresë dhe Shën Terezës, vajzat shqiptare në botë janë më të famshmet dhe ne krenohemi me to,” u shpreh ai.
Duke folur për sfidat e vendit, kreu i opozitës paralajmëroi për rrezikun e shpopullimit.
“Një tërësi kombëtare është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Shqipëria është në rrezik të madh ekzistencial. Në periudhën 2015–2024, sipas Eurostat, mbi 1 milion shqiptarë kanë emigruar vetëm drejt zonës Shengen. Nëse vazhdohet kështu, në pesë dekada Shqipëria rrezikon të mos ekzistojë më,” tha Berisha.
Ai kritikoi gjithashtu nismën e “Ballkanit të Hapur”, duke e cilësuar si politikë që dobëson ekonominë shqiptare dhe minon projektin kombëtar.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal edhe te ekonomia, duke akuzuar për mbizotërimin e narkotrafikut dhe ndikimin e tij në kursin e monedhës.
Sipas tij, “superleku” i krijuar nga paratë e drogës ka dobësuar euron dhe dollarin, duke sjellë probleme deri në falimentimin e eksportuesve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




