Guvernatori Sejko dhe ministri Malaj prezantojnë ecurinë ekonomike në takimin me kreun e ri të FMN-së për Shqipërinë, Diego Cerdeiro

Ekonomi | 7 muaj më parë

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, dhe Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilluan në Uashington një takim prezantimi me Shefin e ri të Misionit të FMN-së për Shqipërinë, Diego Cerdeiro, i cili do të zëvendësojë Anke Weber.

Takimi u mbajt në kuadër të Mbledhjeve të Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Gjatë diskutimeve, Guvernatori Sejko prezantoi një analizë të situatës më të fundit ekonomike dhe financiare në vend, si dhe projeksionet për të ardhmen.

Ai theksoi se ekonomia shqiptare vijon të shfaqë ritme të qëndrueshme rritjeje, e mbështetur nga një treg pune i fortë, inflacion i ulët dhe një sistem financiar i shëndetshëm.

Megjithatë, sipas tij, pasiguritë në mjedisin ndërkombëtar, veçanërisht zhvillimet në Lindjen e Mesme, mbeten faktorë që kërkojnë vëmendje të shtuar.

Sejko nënvizoi se politikat e kujdesshme makroekonomike kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, forcimin e qëndrueshmërisë financiare dhe uljen graduale të borxhit publik.

“Ekonomia shqiptare vijon të shfaqë ritme të qëndrueshme rritjeje, e mbështetur nga një treg pune i fortë, inflacion i ulët, si dhe një sistem financiar i shëndetshëm. Megjithatë, pasiguritë në mjedisin ndërkombëtar, veçanërisht zhvillimet në Lindjen e Mesme, mbeten faktorë që kërkojnë vëmendje të shtuar.”

Gjatë takimit u theksua rëndësia e politikave të kujdesshme makroekonomike, të cilat kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, forcimin e qëndrueshmërisë financiare dhe uljen graduale të borxhit publik.

“Politika monetare do të vijojë të mbetet e orientuar drejt stabilitetit të çmimeve, duke u bazuar në zhvillimet e reja dhe në vlerësimin e rreziqeve.”

Ndërsa ministri i Financave, Petrit Malaj, e cilësoi takimin si të frytshëm, duke shtuar se, “Diskutuam mbi ecurinë e ekonomisë, parametrat makroekonomikë, si dhe rëndësinë e vijimit të politikave të kujdesshme për ruajtjen e stabilitetit ekonomik e financiar”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme