Sot protesta e PD para Kryeministrisë, ja akset që bllokohen

Aktualitet | 7 muaj më parë

Partia Demokratike ka thërritur sot në orën 19:00 mbështetësit e saj për protestën që do të mbajë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara godinës së Kryeministrisë.

Për garantimin e rendit dhe mbarëvajtjes së aktivitetit, Policia ka marrë masa duke kufizuar përkohësisht qarkullimin në disa akse kryesore të kryeqytetit.

Sipas njoftimit zyrtar, nga ora 23:45 e datës 16 prill deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe parkimi i automjeteve në segmentin e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, nga “Ura e Dajtit” deri te rruga “Ismail Qemali”.

Ndërkohë, nga ora 15:00 e datës 17 prill deri në përfundim të tubimit, do të ndalohet qarkullimi i automjeteve në të njëjtin bulevard, nga kryqëzimi pranë Ministrisë së Brendshme deri në sheshin “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia e Tiranës u bën thirrje organizatorëve të respektojnë orarin dhe vendin e përcaktuar për tubimin, ndërsa kërkon mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimet e përkohshme në qarkullim. Gjithashtu, qytetarët ftohen të shmangin çdo veprim të kundërligjshëm që mund të cenojë rendin dhe sigurinë publike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme