Ministri Gonxhja: Nis restaurimi i Kishës së Profetit Ilia në Lekël, e dëmtuar nga zjarret

Aktualitet | 7 muaj më parë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja ka njoftuar nisjen e punimeve për restaurimin e Kishës së Profetit Ilia në Lekël, një monument kulture i dëmtuar nga zjarret e vitit të kaluar. Ndërhyrja synon rikthimin e objektit në gjendjen e tij origjinale, duke ruajtur vlerat historike dhe arkitektonike që mbart.

Punimet po realizohen nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër dhe përfshijnë rindërtimin e çatisë tradicionale, konsolidimin e strukturës si dhe restaurimin e elementëve karakteristikë të kishës. Ky proces synon jo vetëm rikuperimin fizik të monumentit, por edhe mbrojtjen e identitetit kulturor që ai përfaqëson.

Sipas autoriteteve, kjo ndërhyrje thekson rëndësinë e strategjive të koordinuara në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore nga rreziqet natyrore dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike. Bashkëpunimi mes institucioneve të trashëgimisë, emergjencave civile dhe planifikimit territorial konsiderohet thelbësor për parandalimin dhe menaxhimin e situatave të tilla.

Restaurimi i kishës pritet të kontribuojë në ruajtjen e një pasurie të rëndësishme për komunitetin lokal, duke rritur gjithashtu interesin e vizitorëve vendas dhe të huaj, si dhe duke garantuar trashëgiminë për brezat e ardhshëm.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme