Klauzola 25 milionë euro tremb Interin, e ardhmja e Dumfries mbetet e paqartë

Futboll Bota | 7 muaj më parë

Holandezi i krahut të djathtë, vendimtar edhe këtë sezon, mund të lirohet me një çmim të ulët. Botërori 2026 nuk i favorizon aspak zikaltrit.

Denzel Dumfries ka qenë në bokse gjatë këtë sezon dhe Interi e ka vuajtur shumë mungesën e tij. Nuk është rastësi që Chivu dhe të tijtë kanë dhënë shtysën vendimtare drejt titullit pikërisht në momentin e rikthimit të tij. Dopieta kundër Como mund të jetë firma e titullit të 21-të në historinë e Interit.

Për këtë arsye, mundësia për ta humbur “vetëm” për 25 milionë euro i shqetëson jo pak drejtuesit zikaltër. Dumfries edhe këtë verë si një vit më parë mund të largohet në rast se një klub tjetër paguan klauzolën e vendosur në rinovimin e vështirë të 2025-ës. Ato 25 milionë euro duken një çmim i ulët për një lojtar që ka treguar potencial dhe çdo sezon shënon gola me peshë.

Nuk është e qartë se deri kur është në fuqi kjo kaluzolë në kontratën e holandezit. E qartë është se shuma duhet të paguhet menjëherë në arkën e Interit nga klubi që e dëshiron. Dhe këtu ndoshta frenohet pak entuziazmi i skuadrave të shumta që e pëlqejnë anësorin e djathtë, sidomos Barcelona.

Diferencën, ashtu si verën e 2025-ës, do ta bëjë vullneti i lojtarit. Dumfries në Milano ndihet mirë, por pas 5 sezonesh nuk përjashtohet mundësia për një aventurë të re, ndoshta në Premier League. Duhet një skuadër në nivelin e Interit për këtë lëvizje. Në verë lojtari do të jetë i angazhuar në Botëror me Holandën, një vitrinë e mirë për të, por që lë pa gjumë klubin zikaltër.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme