Negociatat-Irani kritikon Uashingtonin:  Po jep mesazhe kontradiktore për bisedimet

Botë | 6 muaj më parë

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, ka kritikuar sinjalet që ai i quan “kontradiktore” nga zyrtarët amerikanë, në prag të bisedimeve të planifikuara mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara në Pakistan.

Në një postim në rrjetin social X, Pezeshkian theksoi se “respektimi i angazhimeve është baza e një dialogu serioz”.

Ai shtoi se “mungesa e thellë historike e besimit të Iranit ndaj sjelljes së qeverisë amerikane mbetet e fortë”, ndërsa sinjalet “jokonstruktive dhe kontradiktore” nga zyrtarët amerikanë sjellin një mesazh të hidhur: “ata kërkojnë dorëzimin e Iranit. Irani nuk nënshtrohet ndaj forcës”.

Teherani ende nuk ka konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen në takimin e nesërm në Islamabad.

Mediat shtetërore iraniane raportojnë se nuk ka plane për një raund të dytë negociatash për shkak të “kërkesave të tepërta dhe irracionale” të SHBA-së, si dhe ndryshimeve të qëndrimeve amerikane.

Ndërkohë, Pakistani po luan një rol aktiv ndërmjetësues. Kryeministri pakistan Shehbaz Sharif zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin Pezeshkian, ku diskutuan situatën rajonale dhe përpjekjet për dialog.

SHBA pritet të dërgojë një delegacion në Islamabad, por Irani ka shprehur dyshime të thella dhe ka theksuar nevojën për një qasje të drejtë pa presion ose “standarde të dyfishta”.

Pezeshkian ka përsëritur se Irani është i hapur për çdo rrugë racionale dhe diplomatike për uljen e tensioneve, por ka paralajmëruar se mosbesimi ndaj Uashingtonit mbetet “i domosdoshëm”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme