Rriten kërkesat për leje qëndrimi në Shqipëri, punësimi, arsyeja që dominon
Sipas të dhënave nga Sektori i Migracionit në DVKM Vlorë, janë shqyrtuar dhe pranuar gjithsej 1229 aplikime për leje qëndrimi, duke përfshirë si aplikimet për herë të parë ashtu edhe rinovimet.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, kur u regjistruan 648 aplikime, këtë vit ka 581 aplikime më shumë, që përkthehet në një rritje prej rreth 47%.
Për vetë shtetasit e huaj, eksperienca dhe arsyet e qëndrimit janë të ndryshme, por punësimi është ai që dominon.
Bran Pui , futbollist nga Senegali i është bashkuar ekipit të Naftëtarit. Së bashku me administratorin, ai udhëtoi nga Kuçova drejt zyrës së emigracionit në Vlorë për të aplikuar për leje qëndrimi, e cila fillimisht jepet për një vit dhe më pas rinovohet për dy vite.
Nga ana tjetër, sipërmarrësi Fatjon Bacja tregon se në kompaninë e tij ka mbi 35 punonjës të huaj, një zgjidhje që, sipas tij, vjen për shkak të mungesës së krahut të punës në Shqipëri.
Sektori i ndërtimit është një nga fushat ku po punësohen më shumë emigrantë, veçanërisht nga India.
“Unë po qëndroj në Fier ku po punoj në ndërtim. Sot kam ardhur për të aplikuar për leje qëndrimi,”
Një trend në rritje të vazhdueshme regjistrohet edhe në kërkesat për azil nga pensionistët italianë, të cilët zgjedhin të jetojnë në Shqipëri.
“Jemi nga Toskana, kemi marrë me qira një apartament dhe jemi në fazën e parë të dokumenteve. Kemi qenë në Tiranë dhe Durrës, por tani po qëndrojmë në Vlorë, e cila na pëlqeu dhe vendosëm të rrimë më gjatë.”
Rritja e numrit të aplikimeve për leje qëndrimi tregon se Shqipëria po bëhet gjithnjë e më tërheqëse si për punësim, ashtu edhe për jetesë afatgjatë nga të huajt.
Gazetare: Afrovita Hysaj
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




