Tërmet 5.7 i shkallës Rihter në Kretë, sizmologët: Pasgoditje të pritshme, nuk ka arsye për panik

Botë | 6 muaj më parë

Një tërmet i ri me magnitudë 5 ballë të shkallës Rihter është regjistruar sot (24 prill) në zonën detare të Lassithit, në Kretë, vetëm disa orë pas lëkundjes së fortë 5.7 ballë që u ndje në orët e para të mëngjesit.

Sipas të dhënave sizmologjike, epiqendra e tërmetit të fundit ishte rreth 18 kilometra në jug të Goudouras, ndërsa thellësia fokale u regjistrua në rreth 7.7 kilometra. Lëkundja është ndjerë në disa zona të ishullit, përfshirë edhe Heraklionin, duke shkaktuar shqetësim te banorët dhe turistët.

Që nga mëngjesi i së premtes, rajoni i Kretës ka përjetuar një seri lëkundjesh sizmike, përfshirë një tërmet 5.7 ballë në orën 06:17 dhe disa pasgoditje të tjera me magnitudë 4.2 dhe 4 ballë.

Pavarësisht aktivitetit të shtuar sizmik, ekspertët theksojnë se situata është e pritshme. Sizmologu Costas Papazachos deklaroi se tërmeti i fundit i fortë përbën një pasgoditje dhe nuk është një fenomen i papritur.

“Është një sekuencë e pasur pasgoditjesh dhe magnituda 5 ballë nuk është e papritur. Mund të ndodhin edhe lëkundje të tjera, madje edhe më të forta”, u shpreh ai.

Sipas tij, rreth 75% e pasgoditjeve ndodhin gjatë javës së parë, ndërsa aktiviteti sizmik mund të vazhdojë për një periudhë më të gjatë kohe, duke qenë më i zgjatur sesa perceptohet nga publiku.

Autoritetet sizmologjike po vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa deri tani nuk raportohet për dëme të mëdha materiale apo të lënduar.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme