Plagosja në Kurbin, zbardhet dinamika, shpallet në kërkim autori i dyshuar, procedohet mjeku i spitalit

Aktualitet | 6 muaj më parë

Autoritetet policore kanë zbardhur dinamikën e plotë të ngjarjes së ndodhur paraditen e së premtes në fshatin Gurëz, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 35-vjeçar. Pas hetimeve paraprake, Policia e Shtetit ka identifikuar autorin e dyshuar dhe ka nisur procedimet ndaj personave që tentuan të fshehin krimin, përfshirë edhe stafin mjekësor.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë, ngjarja ka pasur si zanafillë një konflikt për motive të dobëta mes shtetasit A. T. dhe shtetasit F. C. (i njohur edhe si F. S.), 40 vjeç. Gjatë përplasjes, ky i fundit dyshohet se ka qëlluar me pistoletë 35-vjeçarin, duke i shkaktuar plagë në gjymtyrët e poshtme.

Roli i dëshmitarëve dhe shkeljet administrative

Hetimi ka zbuluar se i plagosuri është dërguar në spitalin e Laçit nga shtetasi R. M., 26 vjeç. Ky i fundit, pasi ka lënë të lënduarin në duart e mjekëve, është larguar me shpejtësi duke braktisur edhe automjetin me të cilin udhëtonte. Për këtë arsye, ndaj tij është lëshuar një urdhër kërkimi për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”.

Një element kyç që ka penguar zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes ka qenë edhe sjellja e stafit mjekësor. Referuar raporteve policore, rreth orës 10:20, i plagosuri ka mbërritur në spitalin e Laçit, por mjeku roje, shtetasi A. I., 58 vjeç, nuk ka njoftuar sallën operative të Policisë. Në vend të njoftimit zyrtar, mjeku ka bërë transportimin e pacientit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për ndërhyrje më të specializuar, duke shkelur detyrën funksionale.

Masat ligjore dhe procedimet

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Policia ka marrë masat e mëposhtme është shpallur në kërkim autori i dyshuar shtetasi F. C. (alias F. S.), 40 vjeç. Ai akuzohet për “Plagosje të rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”.

Në kërkim si bashkëpunëtor është edhe shtetasi R. M., 26 vjeç, për “Moskallëzim krimi”. Procedim në gjendje të lire për mjekun A. I., 58 vjeç, nën akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Materialet procedurale i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ndërsa vijon puna në terren për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme