Bisedimet SHBA-Iran të bllokuara. Trump: Incidenti në Washington s’do të na pengojë të fitojmë luftën

Botë | 6 muaj më parë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump nuk e lidh incidentin në Washington me luftën ndaj Iranit.

 “Ngjarja nuk do të më pengojë të fitoj luftën në Iran. Nuk e di nëse kishte ndonjë lidhje, por sinqerisht, nuk besoj, bazuar në atë që dimë”- deklaroi Trump gjatë konferencës së thirrur pas të shtënave me armë në hotelin “Washington Hilton” gjatë darkës me korrespondentët e Shtëpisë së Bardhë.

Të shtunën, Trump anuloi udhëtimin e planifikuar drejt Pakistanit të të dërguarve të tij Steve Witkoff dhe Jared Kushner.

“Shumë kohë e humbur nëpër udhëtime. Përveç kësaj, ka përçarje të madhe mes udhëheqjes së tyre”- u shpreh presidenti duke iu referuar Republikës Islamike.

Ndërsa në një intervistë për median amerikane “Axios”, Trump konfirmoi se anulimi i udhëtimit nuk do të thoshte automatikisht rifillim i luftës me Iranin.

“Nëse iranianët duan të flasin, gjithçka që duhet të bëjnë është të na telefonojnë”- deklaroi presidenti i SHBA-së.

Më herët, delegacioni iranian u largua nga Islamabadi pasi zhvilloi takime me zyrtarët pakistanezë. Ministri i Jashtëm Abbas Aragchi pas bisedime me ndërmjetësit në Islamabad, u shpreh se kishte ndarë  qëndrimin e Iranit për t’i dhënë fund luftës, por ende nuk kishte parë nëse Shtetet e Bashkuara ishin vërtet seriozë lidhur me përpjekjet diplomatike.

Këto të fundit kanë ngecur pavarësisht zgjatjes së armëpushimit nga Trump për të lejuar vazhdimin e bisedimeve mes palëve. Teherani e ka kushtëzuar rikthimin në tryezën e negociatave me heqjen e bllokadës detare amerikane ndaj porteve iraniane, një kërkesë që Trump e refuzon pasi fillimisht kërkon të arrihet një marrëveshje për t’i  dhënë fund luftës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme