Seanca në GJKKO për Veliajn, Dumani: Transmetimi live ekspozon dëshmitarët. Ndreca: 35 fashikuj pa hapur, të na vihen në dispozicion

Seanca gjyqësore në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku përballë drejtësisë janë edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, si dhe 16 persona të tjerë dhe 12 shoqëri tregtare e organizata jofitimprurëse.
Në këtë proces, Prokuroria e Posaçme përfaqësohet nga prokurorët Altin Dumani dhe Ols Dado.
Erion Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancë. Nga Drejtoria e Burgjeve u përcollën dy deklarata, ku ai shprehet se nuk dëshiron të paraqitet personalisht në gjykatë dhe kërkon të përfaqësohet nga avokati i tij.
“Nuk dua të paraqitem, të përfaqësohem nga avokati”, është shprehur Veliaj në deklaratë.
Lidhur me mungesën e paraqitjes së deklaratës së firmosur nga Veliaj në seancën e mëparshme, Drejtoria e Burgjeve ka sqaruar se dokumenti ishte marrë, por nuk u dorëzua në kohë në gjykatë për shkak të gabimeve njerëzore.
“Deklarata ishte marrë por mos-sjellja e saj në gjykatë ka ndodhur për shkak të një gabimi njerëzor”, thuhet në deklaratën e Burgjeve.
Në seancë pati debat mes prokurorisë dhe mbrojtjes lidhur me kërkesën për transmetim live të seancave, si dhe mënyrën e administrimit të provave dhe ecurisë së procesit gjyqësor.
Prokurori i Posaçëm, Altin Dumani, u shpreh se transmetimi i drejtpërdrejtë i seancave, nuk duhet të cënojë dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët e drejtësisë, duke shtuar se ekspozimi publik mund të cenojë procesin gjyqësor.
“Ne si organ akuze se kemi problem, por mund të shqetësojë procesin, çështjet penale ku ka dëshmitarë më tepër bashkëpunëtor drejtësie nuk lejohet transmetimi live, nuk ndodh kjo as në rajon as Evropë as gjyqet federale në SHBA. Mund të lejohen kamerat për disa pamje filmike, por dëshmitarët dhe bashkëpunëtorët nuk mund të ekspozohen”, tha Dumani.
Dumani gjithashtu theksoi se procesi ndodhet prej rreth dy muajsh në fazën e shqyrtimit në themel dhe akuzoi mbrojtjen se ka paraqitur kërkesa të përsëritura, të cilat sipas tij synojnë zvarritjen e gjykimit.
“Kemi 2 muaj që kemi kaluar në themel dhe vijojmë me seancat paraprake, avokatët e veliajt në mënyrë të përsëritur me kërkesa artificiale në gjykimin tonë, për qëllim zgjatjen e shqyrtimit gjyqësor”, tha Dumani.
Nga ana tjetër, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, kundërshtoi këto deklarime, duke theksuar se mbrojtja ka vepruar me korrektësi dhe profesionalizëm.
Ndreca ngriti gjithashtu shqetësime mbi administrimin e provave, duke deklaruar se dosja përmban 35 fashikuj dhe materiale digjitale (CD dhe USB) që, sipas tij, nuk janë hapur dhe nuk janë shqyrtuar gjatë fazës paraprake, duke mos iu vënë as në dispozicion mbrojtjes.
“Kam treguar korrektësi dhe profesionalizëm, prokurori s’ka sjellje etike tërhiqini vëmendjen, thuajini se është palë e barabartë në këtë proces. Ne s’kemi qëllim të zvarrisim procesin, i vetmi që mbahet në burg është Erion Veliaj dhe ai ka interes të eci sa më shpejt ky proces, ne nuk pranojmë të ecim pa qenë një proces i rregullt ligjor. Janë 35 fashikuj, ndodhen prova digjitale (CD/USB), të cilat rezultojnë të pahapura dhe, për rrjedhojë, të paanalizuara dhe të pavlerësuara nga gjykata e seancës paraprake. Njëkohësisht, për shkak se këto materiale nuk janë hapur, asnjë prej tyre nuk i është vënë në dispozicion mbrojtjes gjatë asaj faze procedurale”, tha Ndreca.
Veliaj ndodhet në paraburgim në Durrës që prej 10 shkurtit 2025. Ai akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie, në bashkëpunim me bashkëshorten e tij dhe disa ish-zyrtarë të Bashkisë së Tiranës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




