Kurti: Nëse dështojmë të zgjedhim presidentin, vendi shkon në zgjedhje të reja parlamentare

Kosovë | 6 muaj më parë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës se dështimi në zgjedhjen e presidentit të Republikës e çon vendin në zgjedhje të reja parlamentare.

Kurti theksoi se opozita e ka parë kompromisin si nënshtrim të fituesit të zgjedhjeve.

Sipas tij, marrëveshja politike dhe kompromisi mes partive për koalicion qeverisës është gjëja më normale në demokraci, por kompromisi duhet të jetë demokratik.

“Marrëveshja politike dhe kompromisi mes partive politike për koalicion qeverisës është gjëja më normale në demokraci. Por, kompromisi në një demokraci duhet të jetë demokratik. Kompromisi nuk është pazar që lidhet për të rehatuar figura politike.

Kompromisi i vërtetë, ai që iu shërben qytetarëve ndërtohet mbi dy shtylla të panegociueshme, së pari mbi respektin për rezultatin e zgjedhjeve dhe së dyti mbi përgjegjësinë institucionale dhe demokratike e cila rrjedh nga angazhimi publik dhe nga fakti që je përfaqësues i zgjedhur i popullit”, u shpreh Kurti.

Kryeministri deklaroi se gjatë takimeve me opozitën ai ka mundur të sjellë tre emra kandidatësh për president, por asnjë emër nuk e sollën ata.

Ai tha se në takime kurrë nuk kanë përmendur ndonjë emër, ndërsa ai ka përmendur emra, madje edhe të atyre partive, për ta bërë bisedën konkrete.

Kurti theksoi se as Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 22 deputetë, as Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 15 deputetë nuk kanë marrë ndonjë iniciativë, propozim apo emër kandidati për president. Ai shtoi se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë propozim nga subjektet politike.Kryeministri Kurti tha se vitin e kaluar i bëri ofertë qeverisës LDK-së dhe të njëjtën e bëri edhe sot, duke ia ofruar katër ministri dhe zëvendëskryeministrin e parë.

“LDK-ja po e bën bllokadën vitin e kaluar dhe tash, unë i kam ofruar bashkëqeverisje. Jo çfarëdo oferte që i kam bërë zëvendëskryeministrin e parë dhe katër ministri, pra në mungesë timen kryetari LDK-së të udhëheq mbledhjet e Qeverisë. LDK-ja le t’i pyes partitë popullore në Evropë që ia kemi bërë këtë ofertë dhe ky ka refuzuar, le ta çfarë do t’i ndodh. Gjysmën e asaj që i kam ofruar LDK-së i ka partia GUXO, pra me Partinë Guxo që kemi garuar bashkë, LDK-së, ia kam dhënë dyfishin”, theksoi Kurti.

Sipas Kurtit, qëllimi i bllokadës së vitit të kaluar ishte për ta dëmtuar subjektin fitues, por ajo në fakt rezultoi në dëm të qytetarëve dhe shtetit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme