Studimi mbi qeverisjen e pyjeve në Korçë, gjetjet tregojnë rritje të presionit mbi fondin pyjor
Në Korçë u prezantuan gjetjet paraprake të një studimi mbi menaxhimin dhe përdorimin e fondit pyjor në Qarkun Korçë, në kuadër të një aktiviteti me pjesëmarrjen e institucioneve, ekspertëve dhe të rinjve.
Studimi, i realizuar nga All Green Centre në bashkitë Korçë, Pogradec dhe Kolonjë, evidenton një rritje të presionit mbi sipërfaqet pyjore, kryesisht nga zhvillimet energjetike dhe turistike.
Sipas gjetjeve, në Kolonjë një pjesë e konsiderueshme e projekteve energjetike zhvillohet në zona pyjore, ndërsa në Pogradec vihet re një kombinim përdorimesh, nga agroturizmi deri te ndërhyrjet më intensive.
Në Korçë, studimi ngre shqetësime për procedurat e ndryshimit të statusit të tokës, të iniciuara nga subjekte private.
“Raporti mbulon 3-4 vitet e fundit. Evidentohen mbi 200 hektarë që janë dhënë tashmë me qira dhe pritet të zhvillohen në to panele ftovoltaike, turbinat e gjenerimit të energjisë nga era, apo edhe të agroturizmit në zonat pyjore. Kur bëhet fjalë për cenimin e zonave pyjore duhet ët jemi të kujdesshëm sepse janë sipërfaqe natyrore me rëndësi për ekosistemet, njerëzit dhe ekonomitë lokale”, u shpreh eksperti i mjedisit Kristi Bashmili.
Organizatorët theksuan se raporti është ende në fazë drafti dhe synon të përmirësohet përmes diskutimeve, duke vënë theksin edhe te roli i të rinjve në monitorimin dhe mbrojtjen e pyjeve.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



