Logu: Vendimi i Gjykatës së Lartë nuk është risi. Masat e sigurisë varen nga vepra dhe individi
Avokati Besar Logu ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se vendimi i Gjykatës së Lartë nuk është risi dhe se masat e sigurisë varen nga vepra dhe individi.
Sipas tij, nëse i referohemi vendimit të sotëm njësues “tre janë pikat kryesore: Arsyetimi i masave të tjera – pra pse nuk janë të përshtatshme masat e tjera; Individualizimi i masës që ka të bëjë me personin, me subjektin dhe barra e provës”.
“Vendimi i sotëm njësues i Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë nuk është se ka sjellë ndonjë risi që vlen të kemi një fokus kaq të madh.
Pa diskutim ka ndryshuar vendimin numër 7 të 2011-s dhe e ka përafruar atë me disa ndryshime që janë bërë në vitin 2017 në kuadër të reformës në drejtësi, ku u prek edhe Kodi i Procedurës Penale. Konkretisht, në nenin 245 pika germë ç, ku detyrohet gjykata, është neni që bën rregullimin e vendimit të gjykatës. Çfarë duhet të bëjë gjykata kur vendos për një masë sigurimi? Në vendim duhet të parashtrojë faktet, provat, dispozitat që janë shkelur dhe të arsyetojë papërshtatshmërinë e masave të tjera.
Këtë vendim njësues (vendim unifikues quhej atëherë) e ka ndryshuar terminologjinë me reformën në drejtësi. Ai vendim unifikues u përafrua sot me atë që parashikon Kodi i Procedurës Penale. Po ta marrim në vetvete vendimin e sotëm njësues, tre janë pikat kryesore: Arsyetimi i masave të tjera – pra pse nuk janë të përshtatshme masat e tjera; Individualizimi i masës që ka të bëjë me personin, me subjektin dhe barra e provës”, u shpreh Logu.
Avokat Logu theksoi më tej se barra e provës ishte rregulluar edhe më parë.
“Pra kemi pasur një rregullim. Arsyetimin e masave të tjera e kishte edhe Kodi i Procedurës Penale. Barrën e provës që thotë sot, ne e kishim të rregulluar në nenin 246 pika 6, ku çdo gjashtë muaj prokuroria ka detyrimin të informojë gjykatën me ecurinë e hetimeve, me nevojat e sigurimit dhe sa e vlefshme është akoma qëndrimi në këtë masë.
Pse? Sepse unë mund ta kem arrestuar dikë, por rezulton që ai nuk ka lidhje, nuk është i përfshirë, që ta mbajnë atë në arrest me burg. Pra ka qenë rregullim edhe më parë” , nënvizoi më tej Logu.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



