5 Maj, nderohen kujtimi i Dëshmorëve të Policisë. Hita: Sakrifica që nuk harrohen. Uniforma nuk nderohet nga grada, por morali i atij që e mban

Aktualitet | 6 muaj më parë

Në një ceremoni të zhvilluar në Akademinë e Sigurisë për Ditën e Dëshmorëve u nderua vepra dhe kujtimi i 231 Dëshmorëve të Policisë, emrat e të cilëve janë gdhendur në memorialin që iu kushtohet atyre.          

Gjatë aktivitetit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, mbajti një fjalë përkujtimore ku vlerësoi lart sakrificën e punonjësve të rënë në krye të detyrës.

“5 Maji, Dita e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe të Atdheut, është një ditë kur uniforma nuk shihet vetëm si detyrë, por si betim, si një vijë e padukshme mes jetës së zakonshme dhe sakrificës së jashtëzakonshme,” u shpreh Hita.

Ai theksoi se kjo ditë shërben si pasqyrë dhe thirrje për çdo punonjës policie, duke nënvizuar se vlera e uniformës nuk qëndron tek grada apo simboli, por tek karakteri dhe morali i atij që e mban.

“Për çdo punonjës policie, kjo ditë është edhe pasqyrë, edhe thirrje. Pasqyrë për të parë se çfarë peshe ka uniforma që mbajmë. Dëshmorët tanë na mësojnë se uniforma nuk nderohet nga grada, por nga karakteri. Nuk ndriçon nga metali i stemës, por nga morali i njeriut që e mban,” shtoi ai.

Në fjalën e tij, Hita shprehu gjithashtu përuljen e thellë për të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit që kanë dhënë jetën në krye të detyrës, duke i përshkruar ata si njerëz që u nisën me uniformë dhe u kthyen në përjetësi me flamur, duke lënë pas një mesazh të pavdekshëm se “detyra kur vishet me ndershmëri, bëhet më e madhe se jeta”.

  • “Në emër të Policisë së Shtetit, sot shpreh përuljen më të thellë për të gjithë punonjësit e Policisë që dhanë jetën në krye të detyrës.

    Për ata që u nisën në mëngjes me uniformë dhe nuk patën kohë të thoshin lamtumirë, por u kthyen në përjetësi me flamur, duke lënë pas një mesazh që nuk shuhet, se detyra kur vishet me ndershmëri, bëhet më e madhe se jeta”, tha Hita.

    Ceremonia mblodhi së bashku, në përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të institucioneve në varësi të saj, drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, përfaqësues të misioneve që asistojnë punën e Policisë së Shtetit, familjarë dhe të afërm të punonjësve të Policisë të rënë në krye të detyrës.

    Në përfundim të ceremonisë, të pranishmit vendosën kurora me lule në memorialin e ngritur për Dëshmorët e Policisë.    

    /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme