Procesi “Partizani” në GJKKO, zbardhen dëshmitë e ish-drejtuesve të klubit dhe procedurat e kthimit të pronave

Aktualitet | 6 muaj më parë

Procesi gjyqësor për dosjen “Partizani” ka vijuar këtë të hënë në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), me seancën e radhës të dëgjimit të dëshmitarëve të thirrur nga prokuroria. Sipas gazetares së RTSH-së, Flutura Tota, seanca u karakterizua nga debate fillestare mes prokurorisë dhe mbrojtjes mbi vlefshmërinë dhe kundërshtimin e dëshmive, për t’i lënë më pas vendin rrëfimeve të ish-drejtuesve të klubit dhe zyrtarëve të përfshirë në proceset e kthimit të pronave.

I pari që u dëgjua ishte Afrim Tola, ish-drejtor i Klubit Shumësportësh “Partizani” në periudhën 2006-2008, i emëruar në atë detyrë nga Ministria e Kulturës. Tola përshkroi një situatë të vështirë financiare dhe infrastrukturore, ku sportistët shpesh detyroheshin të gjenin vetë sponsorë nga jashtë.

“Kur u bëra drejtor, ambienti ishte i amortizuar. Në këto ambiente ishin dhe disa familje informale,” dëshmoi Tola, duke shtuar se ka qenë pjesë e komisionit për vlerësimin e aseteve të ish-klubit, ndonëse nuk i kujtohet vlera e rivlerësimit apo takime me pretendues të pronës.

Për periudhën e hershme të pasviteve ’90, dëshmoi Bujar Labinoti, ish-drejtor i klubit në vitin 1992. Ai sqaroi se klubi ishte nën juridiksionin e shtetit deri në vitin 2000, kohë kur u bë privat. Sipas Labinotit, në atë periudhë kishin filluar edhe lëvizjet e para të ish-pronarëve.

“Xhimi Begeja është paraqitur në klub bashkë me Saliagën, bënin veprimet e tyre për pronat,” theksoi ai, duke shtuar se pas vitit 2002, presidenti i atëhershëm Albert Xhani ishte ai që mbulonte shpenzimet e pagave, pa kaluar nga shteti.

Në seancë dëshmoi edhe Albert Xhani, president i klubit nga viti 2000 deri në vitin 2013, i cili udhëhoqi shndërrimin e shoqatës në shoqëri aksionare. Xhani deklaroi se fillimisht nuk kishte dijeni për ekzistencën e pronarëve, por më vonë mësoi se bëhej fjalë për qindra të tillë.

Në dëshminë e tij, ish-presidenti u ndal te përpjekjet e tij për të mbajtur pronën për qëllime sportive dhe te dështimi i këtij plani pasi u ndryshua destinacioni i tokës. Xhani drejtoi gishtin nga kryetari i Bashkisë së Tiranës së asaj kohe.

“Nëse do të ndryshonte destinacioni, mbaroi filmi. Më sollën letrën që ishte ndryshuar destinacioni. I rashë telefonit të kryetarit të Bashkisë, nuk ma ngriti. Që atë ditë, marrëdhëniet e mia me të janë vetëm përshëndetje nga larg. Shkaktari që ne ngelëm pa terrene sportive ishte kryetari i Bashkisë, Edi Rama,” deklaroi Xhani para gjykatës.

Ai pretendoi se ka investuar shuma të konsiderueshme, rreth 200-300 mijë euro për fushat dhe rinovimin e godinave ekzistuese, por theksoi se kur u largua, nuk mori “asnjë send me vete” dhe se nuk kishte pasur asnjë mbështetje financiare nga Ministria e Mbrojtjes.

Procedurat e kthimit të pronave

Për të hedhur dritë mbi anën teknike të matjeve, gjykata dëgjoi topografin Petrit Kullolli, i cili ka punuar për kthimin e pronave në Tiranë gjatë viteve 2005-2009.

Lidhur me pronat e familjes Begeja, ai konfirmoi se i është referuar dokumenteve kadastrale dhe hartës së vitit 1937. I pyetur për personat e përfshirë në proces, Kullolli deklaroi: “Jamarbër Malltezin e njoh se është person publik, por nuk jam takuar kurrë me të.”

Debatet procedurale dhe hapat e radhës

Seanca nuk kaloi pa përplasje juridike. Prokuroria kërkoi leximin e dëshmisë së dhënë në fazën hetimore për shtetasin Isa Tare, pasi familja e tij pretendon se ai vuan nga demenca, gjë që e bën të pamundur dëshminë e tij në sallë. Kjo kërkesë u kundërshtua ashpër nga pala mbrojtëse, duke bërë që trupi gjykues të shtyjë vendimmarrjen për këtë dëshmitar për një moment të dytë.

Për seancën e radhës, e cila pritet të hedhë më shumë dritë mbi procedurat dhe vendimmarrjet institucionale, gjykata ka thirrur pesë dëshmitarë të rinj:

Ylli Pango

Tedis Lubonja

Paro Laçi

Altin Ceni

Violeta Shqevi

Dëshmitë në proces

Dëshmitari Afrim Tola, ish-drejtor i Klubit Shumësportësh “Partizani” (2006-2008)

Gjatë dëshmisë së tij, Afrim Tola theksoi se ishte emëruar në këtë detyrë nga Ministria e Kulturës dhe sqaroi kushtet e vështira infrastrukturore dhe financiare të klubit. Ai mohoi të kishte pasur kontakte me persona që pretendonin pronësinë e ambienteve.

“Në vitin 2006-2008 kam qenë drejtor i shumësporteve ‘Partizani’. Nuk ka pasur shumë staf, sportistët kanë qenë të punësuar nga Ministria e Kulturës. Klubi ka pasur futboll, volejboll, basketboll, mundje, etj. Shumica e këtyre sportistëve gjenin sponsorë nga jashtë. Kemi pasur një fond shumë të vogël.”

Lidhur me asetet dhe godinat, Tola sqaroi:

“Kam qenë në komision vetëm për vlerësimin e aseteve të ish-klubit ‘Partizani’. Kur u bëra drejtor, ambienti ishte i amortizuar. Në këto ambiente ishin dhe disa familje informale. 2006-2008 nuk më kujtohet të jem takuar me ndonjë pretendues të pronës.”

Dëshmitari Bujar Labinoti, ish-drejtor i Klubit (1992)

Bujar Labinoti solli në vëmendje periudhën e tranzicionit të klubit dhe shkëputjen e tij nga varësia shtetërore. Ai ishte dëshmitari i parë që përmendi interesimin e trashëgimtarëve për pronën pranë klubit.

“Klubi deri në vitin 2000 ishte në juridiksion të shtetit. Mbrapa ishin dy godina dykatëshe, ishin familje të persekutuara. Ishin tre fusha futbolli. Xhimi Begeja është paraqitur në klub bashkë me Saliagën, bënin veprimet e veta për pronat.”

Për sa i përket financimit dhe privatizimit, ai shtoi:

“Te dorëzimi i klubit nuk kam qenë, në 2002 dola në pension. Albert Xhani më mbajti, ishte presidenti që drejtonte klubin, pastaj vazhdova deri në 2012. Ai i jepte lekët për pagat, nuk i kalonte më shteti. U bë privat.”

Dëshmitari Albert Xhani, ish-President i Klubit “Partizani” (2000-2013)

Dëshmia e Albert Xhanit u përqendrua te betejat për të ruajtur destinacionin sportiv të kompleksit dhe akuzat për ndryshimin e destinacionit të tokës.

“Në vitin 2000 kemi bërë shndërrimin e shoqatës ‘Partizani’ në shoqëri aksionare. Kam menduar që aty nuk kishte pronar, por me kalimin e kohës kuptuam që kishte 200-300 pronarë. Unë doja ta ndaja tokën për qëllime sportive, atë ide kisha në kokë. Nëse do ndryshonte destinacioni, mbaroi filmi.”

Mbi ndryshimin e destinacionit të pronës, Xhani dëshmoi:

“Më sollën letrën që ishte ndryshuar destinacioni. I rashë telefonit të kryetarit të Bashkisë, nuk ma ngriti. Që atë ditë, marrëdhëniet e mia me të janë vetëm përshëndetje nga larg. Shkaktari që ne ngelëm pa terrene sportive ishte kryetari i Bashkisë Edi Rama.”

Mbi investimet dhe mungesën e mbështetjes, ai saktësoi:

“Unë nuk kam marrë asnjë lek, asnjë mbështetje nga ministria. Rinovuam ambientet, godina ishte ekzistuese. Fushat kanë vajtur 200-300 mijë, nuk e mbaj mend mirë. Kur jam larguar nuk kam marrë asnjë send me vete.”

Dëshmitari Petrit Kullolli, topograf (2005-2009)

Topografi Kullolli shpjegoi procedurat teknike të matjeve në terren dhe përgatitjen e hartave gjatë procesit të kthimit të pronave.

“Kam qenë i punësuar në 2005-2009 në kthimin e pronave. Ne verifikonim sipërfaqen, kemi bërë matje me metra e instrumente. Ne merrnim hartën dhe bënim disa fotokopje. Shkonin për verifikime edhe pronarët e tokës.”

Lidhur me personazhet dhe dosjet specifike, ai theksoi:

“Për pronat e Begejave i jam referuar dokumenteve kadastrale dhe hartës së vitit 1937. Jamarbër Malltezin e njoh se është person publik dhe nuk jam takuar kurrë me të. Inxhinier Nexhat Turkeshin e kam pasur profesor dhe hartat që bënte ai ishin 100% të besueshme.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme