“Sterilizimi”, nis seanca në GJKKO/ Beqaj lë kafazin, ulet pranë avokatit

Seanca e radhës për çështjen e “Sterilizimit” po zhvillohet në Gjykatën e Posaçme, ndërsa vëmendjen këtë herë e mori mënyra se si ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u paraqit në sallën e gjyqit. Ndryshe nga herët e tjera, ai nuk qëndroi në kafazin e sigurisë, por u ul pranë avokatit mbrojtës, Ermal Yzeiraj.
Sipas gazetares Lusi Përgjegji, Beqaj, i shoqëruar nga forca policie, hyri në ambientet e gjykatës nga korridori i përdorur edhe nga publiku. Pasi mbërriti në sallë, prangat iu hoqën dhe më pas u shoqërua për pak minuta jashtë saj.
Në rikthim, ai u ul krah mbrojtësit të tij, ndërsa në sallë qëndruan dy efektivë policie për masat e sigurisë.
Gjatë seancës së sotme, mbrojtja pritet të kërkojë pushimin e çështjes ndaj ish-ministrit. Avokati Yzeiraj pretendon se akuza për “grup të strukturuar kriminal”, e cila u artikulua gjatë fazës paraprake nga gjykata, nuk është ngritur zyrtarisht nga SPAK në mënyrën e parashikuar procedurialisht. Sipas mbrojtjes, kjo situatë ka cenuar të drejtën e të pandehurit për një mbrojtje të plotë dhe efektive.
Në fillim të hetimeve, SPAK e kishte referuar çështjen për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa më pas në proces u përfshi edhe akuza për grup të strukturuar kriminal.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



