Pamje dramatike/ Policia turke boshatis selinë e partisë opozitare në Ankara për t’i rikthyer ndërtesën ish-liderit, përplasje dhe gaz lotsjellës brenda godinës

Botë | 5 muaj më parë

Policia turke ndërhyri me forcë në selinë qendrore të partisë opozitare Partisë Republikane Popullore (CHP) në Ankara, duke zbatuar një vendim gjykate për evakuimin e godinës.

Ditën e djeshme, forcat speciale thyen portën e hekurt të selisë dhe hynë në ndërtesë pas urdhrit të lëshuar nga Guvernatorati i Ankarasë, i cili konfirmoi se kishte autorizuar Drejtorinë e Policisë për të zbatuar vendimin gjyqësor.

Avokati i ish-liderit të CHP, Kemal Kilicdaroglu, Celal Celik, kishte paraqitur më herët një kërkesë zyrtare për dorëzimin e selisë së partisë, duke pretenduar se edhe deputetëve po u mohohej hyrja në godinë.

Sipas raportimeve, policia fillimisht tentoi të negociojë me deputetin e CHP-së Murat Emir dhe mbështetësit e partisë në oborrin e selisë. Por rreth orës 14:20, efektivët thyen portën hyrëse dhe nisën operacionin.

Anëtarë të partisë hodhën shishe uji dhe sende të tjera drejt policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe spraj me piper për të shpërndarë turmën dhe për të hyrë në ndërtesë.

Brenda selisë, mbështetësit e CHP-së ngritën barrikada me karrige dhe mobilie për të penguar avancimin e policisë drejt kateve të sipërme të godinës 12-katëshe. Raportimet tregojnë se disa deputetë dhe aktivistë hodhën edhe detergjent në shkallë për të ngadalësuar hyrjen e forcave speciale.

Sipas mediave turke, e gjithë godina u mbush me gaz lotsjellës gjatë operacionit.

Kreu aktual i CHP-së, Ozgur Ozel, publikoi një video nga brenda selisë në rrjetin X, ku deklaroi: “Do të luftojmë deri në fund. Mund të marrin trupat tanë, por nuk mund të marrin kauzën tonë.”

Ndërkohë, Kilicdaroglu kishte bërë më herët thirrje për respektimin e vendimit të gjykatës dhe shmangien e veprimeve që bien ndesh me disiplinën e partisë.

“U kërkoj të gjithë zyrtarëve gjyqësorë dhe forcave të rendit të zbatojnë vendimin e gjykatës dhe të shmangin çdo sjellje që cenon kulturën organizative të partisë,” deklaroi ai.

Deputeti Murat Emir tha se kishte zhvilluar më herët një takim me ministrin e Brendshëm turk, i cili sipas tij kishte garantuar se policia nuk do të hynte me forcë në selinë e partisë.

Konflikti vjen pasi një gjykatë në Ankara mori vendimin e quajtur “mutlak butlan” (anulim absolut/i plotë) për kongresin e CHP të vitit 2023. Gjykata anuloi zgjedhjen e liderit të ri, Özgür Özel, dhe vendosi që Kemal Kılıçdaroğlu të rikthehet ligjërisht në krye të partisë.

Pas këtij vendimi, avokatët e Kılıçdaroğlu kërkuan që udhëheqja e Özgür Özel të lironte menjëherë selinë qendrore në Ankara. Mbështetësit e udhëheqjes së re refuzuan të largoheshin dhe bllokuan hyrjet e ndërtesës me barrikada. Por pas ndërhyrjes së policisë ndërtesa u boshatis.

Kemal Kılıçdaroğlu ka njoftuar se do të shkojë zyrtarisht në seli pas festës së Bajramit (më 28 maj) për të marrë drejtimin dhe për ta çuar partinë në një kongres të ri të jashtëzakonshëm.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme