Lufta ndaj korrupsionit, Qeveria miraton rregullat e reja për njësitë e mbrojtjes së sinjalizuesve në sektorin publik

Aktualitet | 5 muaj më parë

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që ripërcakton marrëdhëniet e punës, strukturën dhe kriteret e përzgjedhjes së punonjësve që do të shërbejnë në njësitë e sinjalizimit pranë autoriteteve publike. Vendimi, i cili mbështetet në ligjin e ri nr. 96/2025 “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”, vjen si propozim i Ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin dhe shfuqizon vendimin e vjetër të vitit 2016, duke sjellë kritere më rigoroze dhe pavarësi të shtuar operative për këto struktura delikate.

Formula e re e strukturimit institucional

Sipas rregullave të reja, detyrimi për ngritjen e këtyre njësive, të cilat do të përbëhen rreptësisht nga 2 punonjës, shtrihet mbi të gjitha autoritetet publike me mbi 50 të punësuar, si dhe mbi personat juridikë publikë që operojnë në sektorë me risk të lartë, si shërbimet financiare, parandalimi i pastrimit të parave dhe financimi i terrorizmit.

Për të garantuar funksionimin pa kosto shtesë organike, vendimi përcakton një hierarki të qartë se kush do t’i përbëjë këto njësi:

Auditimi i brendshëm si filtër i parë

Njësia përbëhet nga drejtuesi i auditimit të brendshëm dhe një punonjës i tij. Në mungesë të drejtuesit, caktohen dy punonjës të këtij sektori.

Burimet njerëzore si alternativë

Nëse institucioni nuk ka njësi auditimi, përgjegjësia i kalon drejtuesit të Burimeve Njerëzore dhe një nëpunësi të saj.

Strukturat antikorrupsion

Institucionet që kanë tashmë njësi të posaçme kundër korrupsionit do t’i shkrijnë këto detyra brenda tyre, duke caktuar 1 ose 2 punonjës.

Për autoritetet që nuk plotësojnë asnjë nga kushtet e mësipërme, vendimi lejon caktimin e dy punonjësve të përhershëm, të cilët duhet të plotësojnë kushte specifike arsimore dhe profesionale:

“Punonjësit duhet të kenë jo më pak se 2 vjet përvojë në profesion, arsim të lartë në shkencat juridike, sociale ose ekonomike, si dhe të mos jenë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë.”

Pavarësia operative dhe raporti me ILDKPKI-në

Një nga pikat më të rëndësishme të vendimit është garantimi i statusit të pavarur të punonjësve të sinjalizimit. Caktimi në këtë detyrë, e cila kryhet paralelisht me funksionet ekzistuese, do të jetë pa afat. Për më tepër, vendimi sanksionon mbrojtjen e strukturës nga presionet e brendshme administrative:

“Njësia përgjegjëse në sektorin publik vepron në mënyrë të pavarur dhe jashtë çdo influence tjetër, të padrejtë, që mund të pengojë realizimin e detyrave të saj duke garantuar ruajtjen e konfidencialitetit të informacionit dhe mbrojtjen e identitetit të sinjalizuesit.”

Institucionet publike që kanë degë territoriale nëpër rrethe do ta krijojnë këtë njësi vetëm në strukturën e tyre qendrore, duke centralizuar menaxhimin e informacionit për të shmangur rrjedhjen e të dhënave. Gjatë gjithë aktivitetit të saj, njësia do të mbajë kontakte të vazhdueshme me Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI).

Largimi nga detyra dhe afatet ekzekutive

Vendimi përcakton kushte strikte për ndërprerjen e këtij funksioni. Një punonjës mund të largohet nga njësia me urdhër të titullarit vetëm në raste specifike: dorëheqje me shkrim (e cila i dërgohet edhe ILDKPKI-së), dënim penal, përfundim i marrëdhënies së punës me institucionin, ose në rast se kryen shkelje të rëndë të vetë legjislacionit të sinjalizimit. Për çdo lëvizje apo ndërprerje të marrëdhënies së punës, ILDKPKI-ja duhet të informohet menjëherë.

Zbatimi i këtij vendimi kërkon veprim të shpejtë nga administrata publike, duke vendosur një afat të prerë për titullarët:

“Titullarët e autoriteteve publike kanë detyrimin të caktojnë punonjësit në detyrën e njësisë përgjegjëse brenda 15 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, dhe të njoftojnë me shkrim Inspektorin e Përgjithshëm të ILDKPKI-së së bashku me kontaktet përkatëse.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme