Statistikat e ndërtimit, rriten pagat dhe kostot e tjera, bien çmimet e materialeve

Treguesit më të fundit zyrtarë dëshmojnë për një zhvendosje të faktorëve që diktojnë koston e ndërtimit të banesave në vend. Sipas të dhënave, rritja e presionit vjen kryesisht nga kahu i krahut të punës dhe shpenzimeve administrative, ndërkohë që tregu po balancohet nga një rënie e lehtë e çmimeve të lëndëve të para.
Indeksi i Kushtimit në Ndërtim (për banesa), i cili mat ecurinë e çmimeve të materialeve, fuqisë punëtore dhe shpenzimeve të tjera kapitale për një banesë tip 8–10 kate, shërben si një deflator kyç për llogaritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Përllogaritjet mbështeten në një shportë me 71 zëra, ku të dhënat për pagat dhe makineritë sigurohen nga ndërmarrjet e mëdha të përqendruara kryesisht në rrethin e Tiranës.
Ecuria vjetore e indeksit
Në nivel vjetor, kostot e përgjithshme të ndërtimit kanë shënuar një rritje të qëndrueshme por të moderuar, të udhëhequr nga shtrenjtimi i fuqisë punëtore.
“Indeksi i Kushtimit në Ndërtim, në tremujorin e parë 2026 arriti 114,4, kundrejt tremujorit të katërt 2021 si periudha bazë. Ndryshimi vjetor i Indeksit të Kushtimit në Ndërtim në tremujorin e parë 2026 është 1,1 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 1,0 %.”
Brenda zërit të materialeve, rënia më e ndjeshme u regjistrua në nëngrupin “Materiale ndërtimi” me 1,4 %, pasuar nga “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi” me 0,9 %. Në kahun e kundërt, nëngrupi “Materiale elektrike dhe komunikimi” shënoi një rritje prej 0,5 %.
Dinamika tremujore
Krahasuar me mbylljen e vitit të kaluar, tendenca e rritjes mbetet e pranishme, sërish nën ndikimin e kostove operacionale dhe administrative jashtë lëndës së parë.
“Indeksi i Kushtimit në Ndërtim shënoi rritje med 0,3 %, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2025. Rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Kosto të tjera’’ me 1,7 %, grupi “Shpenzime për paga” me 0,6 %, grupi “Shpenzime makinerie” me 0,3 % dhe grupi “Shpenzime transporti” me 0,3 %.”
Sjellja e tregut brenda këtij fraksioni kohor konfirmon sërish rënien e shpenzimeve për materiale me 0,2 %. Në këtë ecuri, uljen më të madhe e patën nëngrupet “Materiale hidro-sanitare dhe ventilimi’’ me 0,8 % dhe “Materiale ndërtimi” me 0,4 %, ndërsa “Materiale elektrike dhe komunikimi” u shtrenjtuan lehtë me 0,2 %.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




