Mes modernes dhe nostalgjisë, nis në skenën e TKOB edicioni historik i “Festivalit të Pranverës”
Pas më shumë se dy dekadash mungesë, një nga ngjarjet më të dashura të muzikës së lehtë shqiptare është rikthyer fuqishëm në skenë. Sonte dhe nesër mbrëma (6 dhe 7 qershor), në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB), Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) ngre siparin e “Festivalit të Pranverës”. Ky projekt ambicioz synon të ringjallë traditën, emocionin dhe vlerat e muzikës sonë, duke i sjellë ato përmes një formati bashkëkohor, por duke ruajtur ADN-në që e bëri këtë ngjarje një gur themeli në artin shqiptar.
Muzikë 100% live dhe skenografi moderne
Në garën e këtij edicioni marrin pjesë 20 artistë me këngë origjinale. Çdo performancë do të jetë 100% live, e shoqëruar nga Orkestra Simfonike e RTSH-së dhe bendi muzikor, duke rikthyer standardin e interpretimit të drejtpërdrejtë.
Interesi i publikut ka qenë i jashtëzakonshëm; këngët e publikuara në kanalin zyrtar të RTSH-së në YouTube kanë grumbulluar mijëra klikime, duke e kthyer festivalin në një nga ngjarjet më të komentuara kulturore të momentit. Dy netët magjike do të udhëhiqen nga një dyshe e dashur për publikun: këngëtarja Bleona Qereti dhe aktori me famë ndërkombëtare, Nik Xhelilaj.
Krahas garës, skena do të mirëpresë emra legjendarë që kanë shkruar historinë e këtij festivali ndër vite, si: Irma Libohova, Bashkim Alibali, Jonida Maliqi, Rovena Dilo, Aleksandër Gjoka, Eneda Tarifa, Frederik Ndoci, Ledina Çelo, Renis Gjoka, Kamela Islamaj dhe Dashnor Diko, të cilët do të interpretojnë jashtë garës për të sjellë një atmosferë të papërsëritshme nostalgjie.
Zëri i organizatorëve
Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, e cila ka ndjekur nga afër çdo detaj të këtij organizimi, ka shprehur besimin e plotë në suksesin e këtij rikthimi:
“Ky festival, që është një rikthim në vlerat e veta të Radio Televizionit Shqiptar, do të zgjojë edhe njëherë pikërisht atë kënaqësi dhe atë afrimitet mes publikut dhe medias publike. Ky është një nga qëllimet e menaxhimit të ri në RTSH: që t’i kthehet gjërave që di të bëjë më mirë. Ky është një projekt televiziv i cili i takon të ardhmes, pasi shpresoj që të mos ndalojë.”
Nga ana tjetër, skenaristi i festivalit, Genc Salihu, theksoi cilësinë e lartë të prurjeve artistike dhe gatishmërinë e institucionit:
“Nga momenti i parë që kam dëgjuar këngët, e kam parë se është një material mbimesatarisht i mirë për një konkurrim tipik. Institucioni i RTSH-së ka një përvojë shumë dekadash me inskenimin e spektakleve muzikore. Këtu kemi një makinë shumë mirë të lubrifikuar dhe çdo gjë është e saktë.”
Sistemi i Vlerësimit dhe Juritë
Për të garantuar një vlerësim sa më të drejtë dhe gjithëpërfshirës, përzgjedhja e fituesit do të bëhet përmes një formule të re, e cila gërsheton ekspertizën profesionale me perceptimin e botës digjitale:
- 60% e votës do të përcaktohet nga Juria Profesionale.
- 40% e votës do të përcaktohet nga Juria “Pranvera Digjitale”.
Përbërja e Jurive Vlerësuese:
| Juria Profesionale (Ekspertë të Artit) | Juria “Pranvera Digjitale” (Media & Biznes) |
| Ledina Çelo | Sarah Berisha (Influencer/Sipërmarrëse) |
| Kejsi Tola | Amos Zaharia (Aktor) |
| Kamela Islamaj | Krista Merkoçi (Menaxhere Marketing & Shitje) |
| Markelian Kapidani | Arjon Muça (Moderator) |
| Eriona Rushiti | Rizarta Hoxha (Moderatore/Influencer) |
Transmetimi do të vijë drejtpërdrejt në RTSH 1 HD, RTSH Muzikë, Radio Tirana dhe në kanalin zyrtar të RTSH-së në YouTube.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




