Himara, e dyta pas Tiranës për të ardhura. Bashkia jugore përjeton zhvendosjen e fokusit drejt turizmit e ndërtimit
Prapa gjithë prurjes së Himarës vitet e fundit, shifrat flasin jo thjesht për një rritje të rastësishme vit pas viti, por për një zhvendosje strukturore nga ekonomi e vogël vendore drejt një ekonomie të mbështetur fort te turizmi dhe ndërtimi, që po reflektohet direkt në të ardhurat e bashkisë.
Eksperti i çështjeve ekonomike, Eduard Gjokutaj mendon se realiteti i rritur ndjeshëm duhet drejtuar me skemë të suksesshme.
“Flasim thjesht këtu për performancën fiskale, pra për të ardhurat e veta vendore, por po flasim edhe për burimet e dyta ekonomike, pra qeverisjen korporative të bashkive. Shumë ndërmarrje, duke filluar që nga ujësjellësi, por edhe ndërmarrje të tjera duhen riaktivizuar me qëllim që të mos jenë me humbje dhe të kthehen në krahun e dytë të kolonës së të ardhurave, madje mund të jenë dhe më të mëdha dhe natyrisht pastaj ka të bëjë me mënyrën se si konceptohet biznesi në këto zona ku më së shumti synon ende të ngelet informal sesa të formalizohet dhe kjo prish jo vetëm për të ardhurat, por dhe përfitueshmërinë”, tha Gjokutaj.
E renditur e dyta në vend për mbledhjen e të ardhurave pas Tiranës, sfida më e mendueshme është shumfishe.
“Detyrimisht po mblodhe të ardhura, mundet të kesh një performancë më të mirë, por shumica e bashkive, përfshirë dhe bashkinë Himar më së shumti mbahen nga transfertat e buxhetit dhe nuk arrijnë dot të përballojnë përtej shpenzimeve operative që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e pushtetit vendor, atë çfarë lidhet me investimet vendore dhe me zhvillimin e atyre planeve të miratuara që në vitin 2017”, theksoi ai
Me këtë performancë, Himara që ka lënë pas Vlorën dhe Kamzën, do i duhet të përballet me probleme reale në terren si formalizimi i të gjithë bizneseve apo identifikimi i zonave me presion më të lartë turistik, vlerësimi i qëndrueshmërisë së të ardhurave, dhe lidhja e buxhetit me kapacitetin real të shërbimeve publike.
“Pra, nuk duhet konceptuar thjesht që rritëm të ardhurat nga një vit në tjetrin më shumë. Duhet të konceptuar se si është qeverisja fiskale dhe qeverisja ekonomike apo qeverisja e ndërmarrjeve në mënyrë të tillë që pastaj ato të kthehen në bashkëbiseduese jo vetëm me pushtetin qendror por dhe me investitorët e huaj për të dalë te bonot bashkiake. Një ekonomi e fortë bashkiake nëpërmjet ndërmarrjes së saj mund të kishte tashmë bonot e veta dhe të kishte një përfitueshmëri më të madhe për sa i përket kreditimit të politikave të saj”, u shpreh Gjokutaj.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




