Xhemalaj: Rritjen më të lartë e regjistroi segmenti i sigurimit të jetës me 17,6% 

Ekonomi | 4 muaj më parë

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Adela Xhemali, ka raportuar në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë për ecurinë e këtij tregu në vitin 2025, ku thekoi se shqiptarët po drejtohen gjithnjë e më shumë drejt sigurimit të jetës, shifër e cila sipas saj është rritur me mbi 17%. 

“Numri i policave të lëshuara arriti në 1.68 milion, duke shënuar një rritje prej 5%. Segmenti i jetës pati një rritje më të shpejtë, me 17.6%, ndërsa segmenti i jo-jetës u rrit me rreth 10%. Këto shifra tregojnë një zhvillim të qëndrueshëm dhe një diversifikim të tregut të sigurimeve, ku segmenti i jetës po fiton terren më shpejt, ndërsa segmenti i jo-jetës vazhdon të ruajë një ritëm të qëndrueshëm rritjeje.” 

Megjithatë, Xhemali shtoi se sigurimet e detyrueshme vijojnë të përbëjnë pjesën më të madhe të tregut, me rreth 62% të totalit të primeve. 

“Sigurimi i detyrueshëm vijon të dominojë tregun, duke zënë rreth 62% të primeve. Kjo tregon se tregu ka ende hapësirë të konsiderueshme për diversifikim, sidomos në sigurimet vullnetare, sigurimet e jetës, sigurimet e pronës, shëndetit dhe produktet e lidhura me mbrojtjen afatgjatë të familjeve dhe bizneseve. Ky potencial i pazhvilluar hap rrugën për inovacion dhe zgjerim të ofertës, duke e bërë tregun e sigurimeve më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm.” 

Sipas të dhënave të raportuara, primet e shkruara bruto në tregun e sigurimeve arritën në rreth 27 miliardë lekë gjatë vitit 2025, me një rritje prej 10.5% krahasuar me vitin 2024. Ndërsa numri i policave të sigurimit u rrit në 1.68 milion, ose 5% më shumë se një vit më parë. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme