KPA mbyll mandatin, avokati Kaziaj: Sistemi i drejtësisë kalon në fazë të re, 20% e magjistratëve dhanë dorëheqje gjatë procesit të vetingut

Aktualitet | 4 muaj më parë

Sot përfundon zyrtarisht mandati i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (KPA), shkallës së dytë të procesit të vetingut në sistemin e drejtësisë shqiptare, i nisur me hyrjen në fuqi të reformës në drejtësi në vitin 2016.

Avokati Altin Kaziaj, në një lidhje Skype me emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri”, u shpreh se reforma në drejtësi po kalon një fazë riformësimi pas përfundimit të mandatit të organeve të vetingut, duke theksuar se procesi ka sjellë ndryshime të rëndësishme në strukturën e sistemit gjyqësor, por edhe debate mbi objektivitetin e vendimmarrjeve.

“Shpesh kemi pasur debate lidhur me vlerësimin objektiv të këtyre organeve”, tha ai, duke shtuar se në disa raste shkarkimet janë bazuar vetëm në një nga shtyllat e vlerësimit.

Ai nënvizoi gjithashtu se sistemi gjyqësor përballet ende me sfida të mbingarkesës së dosjeve dhe nevojës për rritjen e efikasitetit të dhënies së drejtësisë, duke rikthyer në vëmendje parimin se “drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”. Ai shtoi se sistemi ka kaluar nga një fazë emergjence kalimtare, ku është realizuar vlerësimi i plotë i magjistratëve, në një fazë të re funksionimi institucional.

“Reforma po kalon një proces riformimi në vetvete për shkak të përfundimit të afatit të organit kushtetues të Komisionit të Posaçëm të Apelimit. Janë vlerësuar 100% e magjistratëve shqiptarë, ku rreth 20% kanë dhënë dorëheqje, rreth 35–40% janë shkarkuar, ndërsa pjesa tjetër janë konfirmuar në detyrë. Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, u shpreh Kaziaj, duke shtuar se reforma nuk ka arritur ende të zgjidhë plotësisht problemin e eficencës së sistemit.

Sipas tij, tranzicioni institucional i reformës ka sjellë efekte edhe për qytetarët, të cilët përballen me vonesa në proceset gjyqësore për shkak të mbingarkesës së sistemit.

Procesi i vetingut, i parashikuar në paketën e ndryshimeve kushtetuese dhe shtatë ligjet themelore të reformës, ka realizuar rivlerësimin e trefishtë të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë, duke përfshirë kriteret e pasurisë, integritetit dhe profesionalizmit.

Reforma, e miratuar në Kuvend më 22 korrik 2016 me 140 vota, u kundërshtua fillimisht nga opozita e asaj kohe, por u konsiderua si një nga ndërhyrjet më të thella në sistemin e drejtësisë në vend.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme