Ibrahimaj: Qeveria miraton bonusin e verës prej 5 mijë lekësh për pensionistët, shpërndarja nis që nesër

Ekonomi | 4 muaj më parë

Qeveria shqiptare ka miratuar një akt normativ që parashikon akordimin e një bonusi të veçantë prej 5,000 lekësh për pensionistët. Ky vendim, i cili vjen për herë të parë në mesin e vitit, u njoftua nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave.

Sipas ministres, ky bonus i verës do të prekë 777,200 qytetarë në të gjithë vendin. Fondi total i vënë në dispozicion për këtë nismë kap vlerën e rreth 3.7 miliardë lekëve.

“Vendimi për të cilin unë dua të ndaj për së pari është një vendim i cili lidhet me të ardhurat e pensionistëve. Ne që në krye të herës, që prej fillimit të këtij mandati kemi deklaruar që të ardhurat shtesë të gjeneruara nga performanca pozitive e ekonomisë shqiptare do të shkojnë në mbështetje të të ardhuravenë të pensionistëve. Pikërisht për këtë arsye, duke parë performancën e ekonomisë së pesëmujorit të parë të vitit, e cila pjesërisht u arrit të konsumojë për aktin normativ, por duke parë dhe performancën e të ardhurave të cilat janë mbledhur shtesë nga institucionet e administratës tatimore dhe doganore për sa i përket rritjes së çmimit të naftës, neve vendosëm sot në Këshillin e Ministrave që të akordojmë një bonus për pensionistët. Ky do të jetë bonusi i verës. Do të jetë një bonus me vlerë 5000 lekë, i cili do të akordohet për 777.200 qytetarë”, u shpreh Ibrahimaj.

Gjithashtu Ibrahimaj bëri të ditur se qeveria shqiptare ka miratuar një akt normativ për rritjen e masës së garancisë sovrane, me qëllim mbështetjen e drejtpërdrejtë të bizneseve në vend.

Sipas ministres, ky instrument i ri financiar do të jetë i disponueshëm që nga ky muaj në të gjitha bankat e nivelit të dytë. Bizneset do të kenë mundësi të përfitojnë kredi me një normë interesi mesatarisht prej 2%.

Ibrahimaj vuri theksin te rëndësia e këtij hapi në situatën aktuale ekonomike. Sipas saj, bizneset në Shqipëri kanë nevojë imediate për akses në financa të favorshme.

“Një tjetër akt i cili u miratua sot në ditën e sotme lidhet me garancinë sovrane. Ministri i Financave e përmendi, rritet masa e garancisë sovrane për mbështetjen e bizneseve. Ky vendim lidhet me atë që neve kemi, me programin që kemi diskutuar dhe herë të tjera, “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, i cili do t’i dedikohet të gjithë bizneseve në Republikën e Shqipërisë.

Ai do të jetë i disponueshëm nga ky muaj në të gjitha bankat dhe norma mesatarisht 2% është një instrument financiar i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm në momentin kur Shqipëria ndodhet sot. Bizneset kanë nevojë për mbështetje, kanë nevojë për akses në financë me qëllim arritjen e standardeve europiane, rritjen e investimeve në biznese me qëllim rritjen e produktivitetit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare”, u shpreh Ibrahimaj.

Ajo shpjegoi edhe tre projektligjet e miratuara “të cilat lidhen me kapitullin shtatë, me pronësinë industriale”

“Bëhet fjalë për projektligjin për dizajnet, projektligjin për treguesit gjeografikë dhe projektligjin për të drejtat e autorit. Janë të tre projektligje të cilët na sjellin më afër standardeve europiane. Janë piketat përmbyllëse ligjore për sa i përket kapitullit shtatë.

Nëpërmjet këtyre projektligjeve që u miratuan sot, ne do të arrijmë që të mbyllim kapitullin në kohë sipas parashikimeve të bëra më parë në programin që ne kemi me Bashkimin Europian.Dua t’i rikthehem edhe njëherë bonusit të pensionistëve.

Ky bonus jepet për herë të parë në mes të vitit. Ai do të fillojë të shpërndahet nga dita e nesërme. Pra të gjithë pensionistët të cilët do të marrin pensionin nesër, që janë rreth 30 deri në 40.000 pensionistë, do të marrin një bonus prej 5000 lekësh, i cili i shtohet bonusit që pensionistët janë duke marrë në bazë mujore që nga muaji janar”, deklaroi Ibrahimaj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme