Kontrolle për zhurmat në Shëngjin, policia verifikon lokalet dhe subjektet turistike

Policia e Lezhës ka ushtruar kontrolle në zonën turistike të Shëngjinit për monitorimin e nivelit të zhurmave dhe garantimin e qetësisë publike gjatë sezonit veror.
Në kuadër të masave parandaluese, efektivët e policisë kanë zhvilluar takime informuese me administratorë subjektesh dhe persona fizikë, aktiviteti i të cilëve shoqërohet me muzikë dhe gjenerim zhurmash, kryesisht në zonat turistike.
Kontrollet janë kryer bazuar në hartëzimin e zonave me ndotje akustike, ku me anë të matësve të zhurmës janë verifikuar ambiente të hapura dhe të mbyllura në Shëngjin.
Sipas Policisë, matjet e kryera në përputhje me procedurat standarde kanë rezultuar brenda niveleve të lejuara, ndërsa nuk janë konstatuar tejkalime të kufijve të përcaktuar.
Krahas monitorimit të zhurmave, strukturat e Policisë kanë kontrolluar edhe respektimin e orarit të lejuar për muzikën në ambiente të hapura në zona të banuara, i cili është nga ora 11:00 deri në 24:00.
Policia e Lezhës bën me dije se kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit turistik, me qëllim garantimin e sigurisë publike dhe respektimin e rregullave nga subjektet që ushtrojnë aktivitet në zonat turistike.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



