“Zyrtarëve iu kërkua të dorëzonin telefonat në Shtëpinë e Bardhë”, CNN: FBI hetim për rrjedhjen e informacionit për avionin e Trump të dhuruar nga Katari

Amerikë | 3 muaj më parë

Shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, ndihmësja më e afërt e presidentit Donald Trump, dhe drejtori i FBI-së, Kash Patel, drejtuan personalisht javën e kaluar një hetim të gjerë në Shtëpinë e Bardhë për të zbuluar se kush kishte nxjerrë informacione lidhur me mangësitë e sigurisë së avionit të dhuruar nga Katari, i cili synohet të përdoret si “Air Force One”, shkruan CNN. Sipas burimeve të njohura me çështjen, disa zyrtarëve iu kërkua t’iu dorëzonin telefonat e tyre celularë hetuesve brenda ambienteve të Shtëpisë së Bardhë.

Burimet thanë për CNN se Trump ishte zemëruar nga publikimi i informacioneve mbi avionin e ri dhe administrata e tij reagoi duke ngritur me shpejtësi një hetim intensiv për rrjedhjen e informacionit, i cili shkaktoi trazira në disa institucione qeveritare.

Ndërsa hetimi ishte në zhvillim, të paktën një agjenci federale u dërgoi një e-mail punonjësve, duke i paralajmëruar se nëse kontaktoheshin nga institucione të tjera për të dhënë informacion ose për të dorëzuar pajisjet e tyre, duhej të njoftonin menjëherë juristët e agjencisë.

Sipas burimeve, Kash Patel, i cili po përgatitej të udhëtonte drejt Çikagos, u kthye në Shtëpinë e Bardhë të premten për të marrë një rol aktiv në drejtimin e hetimit. Të nesërmen në mëngjes, “The New York Times” raportoi se Departamenti i Drejtësisë kishte lëshuar urdhra për dorëzimin e dokumenteve ndaj katër gazetarëve të gazetës që kishin raportuar mbi shqetësimet e sigurisë së avionit të ri.

Patel qëndroi për rreth shtatë orë në një zyrë pranë asaj të Wiles, ku të dy ngritën atë që një burim e përshkroi si një “dhomë lufte” në Krahun Perëndimor të Shtëpisë së Bardhë.

Përveç kërkesës për telefonat celularë, hetuesit kërkuan informacion edhe nga personat që kishin udhëtuar me Trump ose kishin qenë të përfshirë në organizimin e udhëtimit, përfshirë zyrtarë nga disa agjenci federale. Megjithatë, sipas një burimi, jo të gjithë pranuan t’i dorëzonin pajisjet e tyre.

Ky veprim tregon shkallën e ndikimit që Shtëpia e Bardhë ishte e gatshme të ushtronte mbi një hetim të zbatimit të ligjit, një praktikë që konsiderohet si devijim nga pavarësia tradicionale e Departamentit të Drejtësisë, megjithëse sipas CNN është bërë më e zakonshme gjatë administratës Trump. CNN kishte raportuar më parë se Trump kishte folur edhe drejtpërdrejt me Patel për hetimin.

CNN ka kërkuar një reagim nga FBI. Ndërkohë, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë deklaroi: “Rrjedhjet e informacionit që rrezikojnë sigurinë e Presidentit, stafit të tij dhe gazetarëve që e shoqërojnë janë të rrezikshme dhe përbëjnë kërcënim për sigurinë kombëtare. Shtëpia e Bardhë i merr shumë seriozisht këto raste dhe do të bëjë gjithçka që lejon ligji për të identifikuar përgjegjësit dhe për të parandaluar përsëritjen e tyre”.

Gazetarë dhe organizata që mbrojnë lirinë e medias e kanë kritikuar vendimin e Departamentit të Drejtësisë për të thirrur gazetarët e “The New York Times”, duke e cilësuar atë si cenim të Amendamentit të Parë të Kushtetutës së SHBA-së, që garanton lirinë e shtypit. Gazeta ka kundërshtuar urdhrat në gjykatë.

“Sot, The New York Times paraqiti një kërkesë për të rrëzuar urdhrat abuzivë dhe të papërshtatshëm të lëshuar ndaj tre gazetarëve tanë”, deklaroi të mërkurën David McCraw, drejtuesi i departamentit ligjor të redaksisë së gazetës.

Shqetësimet mbi avionin e ri, me vlerë rreth 400 milionë dollarë dhe i dhuruar nga Katari, dominuan diskutimet në Uashington javën e kaluar, pasi Trump njoftoi papritur se avioni do të dërgohej paraprakisht në bazën ajrore amerikane “Mildenhall” në Angli, pak para nisjes së tij për samitin e NATO-s në Turqi.

Trump deklaroi në rrjetet sociale se ndryshimi i planit kishte për qëllim t’u jepte ushtarëve amerikanë të stacionuar në bazë “mundësinë të vizitonin avionin”. Ai kishte promovuar më parë avionin, i cili ishte rikonstruktuar dhe lyer sipas preferencave të tij.

“Të gjithë janë shumë të emocionuar dhe menduam se ata duhet të ishin të parët që ta shihnin”, shkroi Trump.

Presidenti u nis fillimisht me avionin e vjetër presidencial dhe më pas kaloi në avionin tjetër në një bazë të sigurt amerikane në Mbretërinë e Bashkuar. Ai minimizoi pretendimet se ndryshimi ishte bërë për arsye sigurie, megjithëse burime të CNN dhe mediave të tjera thanë se pikërisht siguria ishte arsyeja kryesore.

“Nuk kishte shqetësim për sigurinë. Ne thjesht e dërguam avionin pak më herët që ushtarët ta shihnin”, deklaroi Trump.

Sipas burimeve, pasi Trump mbërriti në Turqi për samitin, vlerësimi i sigurisë ndryshoi dhe Susie Wiles e informoi se largimi nga vendi duhej të bëhej me avionin e vjetër presidencial.

Burimet shtuan se avioni i dhuruar nga Katari ishte pajisur me shpejtësi me disa sisteme mbrojtëse, por ende nuk ofronte të njëjtin nivel sigurie si avioni i vjetër, i projektuar posaçërisht për mbrojtjen e presidentëve gjatë udhëtimeve jashtë vendit.

Një zyrtar i kishte deklaruar më herët CNN-së se avioni “Boeing 747” i dhuruar nga Katari konsiderohej nga ushtria amerikane dhe Shërbimi Sekret si një mjet që ishte futur në përdorim me nxitim.

Në kontrast, dy avionët e rinj presidencialë të porositur në kuadër të marrëveshjes që Trump rinegocioi gjatë mandatit të tij të parë kanë pësuar vonesa të mëdha dhe nuk pritet të jenë gati për përdorim para vitit 2028. Kjo lidhet me instalimin e sistemeve të klasifikuara të komunikimit, pajisjeve mbrojtëse, kërkesat e shumta teknike të ushtrisë dhe kohën e nevojshme për trajnimin e pilotëve.

Natyra e saktë e ndryshimeve në sigurinë mes avionit të vjetër dhe atij të ri mbetet ende e paqartë. Ekspertë të aviacionit, pasi analizuan fotografitë e avionit, thanë për CNN se ai duket se nuk ka disa modifikime të jashtme në pjesën e bishtit, të cilat zakonisht lidhen me një sistem mbrojtës kundër raketave me rreze infra të kuqe. Megjithatë, mungesa e këtyre elementeve të dukshme nuk provon përfundimisht se cilat sisteme mbrojtëse janë ose nuk janë të instaluara.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme