Më pak zjarre në Shkodër, zjarrfikësit kërkojnë më shumë kujdes gjatë verës: Terreni i vështirë mbetet sfidë
Rastet e zjarreve në Bashkinë Shkodër kanë shënuar ulje gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas statistikave të Shërbimit Zjarrfikës, nga janari deri në qershor janë regjistruar 151 zjarre, ose 36 më pak se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.
“Situata ka qenë relativisht e qetë. Me këtë shtesë që kemi bërë tani, besoj se jemi shumë më mirë dhe kemi kapacitetet për të përballuar situatat. Kemi edhe efektivë në gatishmëri. Duhet t’i falënderoj shumë të gjithë djemtë, sepse janë ata që na nderojnë të gjithëve dhe kanë dhënë maksimumin”, tha Agim Ponari, Drejtor, MZSH Shkodër
Megjithatë, sfidat mbeten. Rrugët e ngushta dhe automjetet e parkuara në mënyrë të parregullt pengojnë lëvizjen e mjeteve zjarrfikëse.
“Zakonisht, vështirësitë hasen në zonat kodrinore dhe malore, për shkak të rrugëve, pasi automjetet tona nuk mund të futen në rrugë të ngushta ku mund të kalojë vetëm një automjet fuoristradë, si ato që të çojnë drejt stanëve apo zonave të thella. Kjo e bën shumë të vështirë ndërhyrjen. Kemi pasur raste kur kemi shtrirë rreth 250 metra tub për të arritur te vatra e zjarrit dhe për ta shuar atë”, tha ai.
Shërbimi Zjarrfikës u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur rreziku për zjarre është më i lartë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



