“Çdo minutë ka rëndësi”, ekipet e shpëtimit në Kolumbi ende në kërkim të 3 mijë të zhdukurve në rrënojat e tërmetit

Ekipet e shpëtimit në Kolumbi po punojnë pa pushim për të gjetur të mbijetuarit e tërmetit të fuqishëm që goditi vendin të hënën, duke lënë pas një bilanc tragjik prej të paktën 224 viktimash dhe rreth 3 mijë persona të raportuar të zhdukur.
Tërmeti me magnitudë 7.4 goditi pjesën perëndimore të Kolumbisë në orën 07:34 të mëngjesit dhe shkaktoi dëme të mëdha në disa qytete, veçanërisht në Cali dhe Pereira. Ekipet e emergjencës vijojnë kërkimet në ndërtesat e shembura, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave mund të rritet.
“Çdo minutë ka rëndësi”, është mesazhi që përsëritet nga ekipet e shpëtimit, të cilat po punojnë kundër kohës për të nxjerrë njerëz të gjallë nga rrënojat.
Në Cali, një prej zonave më të goditura, zjarrfikësit arritën të nxjerrin të gjallë një 35-vjeçar nga rrënojat e një ndërtese. Burri u gjet pothuajse 24 orë pas goditjes së tërmetit, duke dhënë shpresë se mund të ketë ende të mbijetuar të tjerë të bllokuar.
Edhe qytetarët janë përfshirë në operacionet e kërkim-shpëtimit. Raportohet se civilët kanë arritur të nxjerrin të paktën pesë persona të gjallë nga një hotel pjesërisht i shembur.
Por në rrugët e qytetit pamja mbetet e rëndë. Ekipet e emergjencës vijojnë të kërkojnë nën rrënoja, ndërsa trupat e disa prej viktimave janë nxjerrë dhe mbuluar në vendet ku kanë humbur jetën.
Në Cali janë konfirmuar të paktën 85 viktima, ndërsa kryebashkiaku Alejandro Eder bëri të ditur se ekipet e emergjencës kanë shpëtuar 37 persona nga rreth 40 ndërtesa të shembura plotësisht.
Situata është e rëndë edhe në Pereira, ku me qindra persona dyshohet se kanë mbetur të bllokuar në ndërtesat e shembura.
Tërmeti është cilësuar si më vdekjeprurësi në Kolumbi që prej vitit 1999.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




