Vizita e Putinit në Ishujt Kuril, Japonia reagon ashpër: Absolutisht e papranueshme

Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, ka reaguar ashpër ndaj vizitës së presidentit rus Vladimir Putin në ishujt e diskutueshëm Kuril, duke e cilësuar udhëtimin si “absolutisht të papranueshëm”. Sipas mediave shtetërore ruse, Putin vizitoi ishullin Iturup, të njohur në Japoni si Etorofu, një prej katër ishujve në skajin jugor të zinxhirit Kuril që pretendohet si nga Rusia, ashtu edhe nga Japonia. Takaichi deklaroi se vizita e presidentit rus ka përkeqësuar ndjeshëm ndjenjat e opinionit publik japonez ndaj Rusisë. Ajo përsëriti qëndrimin e Tokios se ishujt përbëjnë territor të Japonisë, si nga këndvështrimi historik, ashtu edhe sipas së drejtës ndërkombëtare.
“Udhëtimi i tij plagos ndjenjat e popullit japonez”, u shpreh Takaichi, duke e cilësuar vizitën si të papajtueshme me qëndrimin e vazhdueshëm të Japonisë për të ashtuquajturat Territoret Veriore.
Mosmarrëveshja për Ishujt Kuril vijon prej dekadash dhe përbën një prej arsyeve kryesore që Rusia dhe Japonia nuk kanë arritur të nënshkruajnë një traktat paqeje që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Ishujt shtrihen mes Hokkaidos, në veri të Japonisë, dhe gadishullit Kamchatka të Rusisë. Katër ishujt më jugorë, të cilët administrohen nga Rusia, pretendohen nga Japonia dhe njihen në Tokio si Territoret Veriore.
Në fund të Luftës së Dytë Botërore, Bashkimi Sovjetik mori kontrollin e zinxhirit të ishujve dhe rreth 17 mijë banorë japonezë u dëbuan nga zona. Gjatë vizitës së tij në Iturup, Putin u takua me banorë vendas dhe provoi produkte lokale, përfshirë vezë peshku, sipas raportimeve të mediave shtetërore ruse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



