Konflikti që përshkallëzoi në të shtëna me armë, policia zbardh ngjarjen, në pranga 4 persona, 2 në kërkim

Aktualitet | 3 muaj më parë

Policia e Tiranës ka zbardhur rrethanat e një konflikti mes disa personave, i cili ndodhi rreth mesnatës së 11 gushtit në rrugën “Gjolekë Kokona”, ku pati edhe të shtëna me armë zjarri. Në kuadër të hetimeve janë identifikuar 10 persona të përfshirë në ngjarje, katër prej të cilëve janë arrestuar, katër të tjerë po procedohen në gjendje të lirë, ndërsa dy janë shpallur në kërkim.

Sipas Policisë, ata akuzohen për vepra të ndryshme penale, mes tyre përkrahje të autorit të krimit, moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ndërkohë, në kërkim janë shpallur F. F., 32 vjeç, i dyshuar për “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë, si dhe për armëmbajtje pa leje, dhe C. B., 32 vjeç, i dyshuar për moskallëzim dhe përkrahje të autorit të krimit.

Sipas të dhënave të deritanishme të hetimit, konflikti dyshohet se ka nisur pasi një prej të arerstuarve, shtetasi R. F. ka fyer një të mitur 17-vjeçar. Pas kësaj, 17-vjeçari dhe miqtë e tij janë përfshirë në një konflikt fizik me R. F., vëllain e tij S. F. (i arrestuar) dhe persona të tjerë që ndodheshin me ta. Më pas, i mituri dhe shokët e tij kanë shkuar me motomjete pranë banesës së vëllezërve. Sipas Policisë, nga banesa dyshohet se F. F. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të motomjeteve. Të shtënat nuk kanë shkaktuar persona të dëmtuar.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet operacioni i koduar “Situata”.

Zbardhen përfshirja dhe rrethanat e konfliktit ndërmjet disa shtetasve, rreth mesnatës së datës 11 gusht, në rrugën “Gjolekë Kokona”, ku dhe u qëllua me armë zjarri. Identifikohen 10 shtetasit e përfshirë. Vihen në pranga 4 prej tyre, procedohen penalisht 4 dhe shpallen në kërkim 2.

Sekuestrohen nga vendngjarja, 1 mjet prerës (thikë) dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit. Menjëherë pas njoftimit se disa shtetas ishin përfshirë në një konflikt në rrugën “Gjolekë Kokona”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 shkuan në vendngjarje për të përcaktuar shtetasit e përfshirë në konflikt, përgjegjësitë e tyre, si dhe rrethanat e rastit.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në kuadër të operacionit të koduar “Situata”: -u arrestuan shtetasit R. Z., 28 vjeç, për veprat penale “Përkrahja e autorit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”; K. K., 31 vjeç, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, si dhe S. F., 24 vjeç dhe R. F., 34 vjeç, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”;

-u proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, 4 shtetas gjithashtu të përfshirë në konflikt;

-u shpallën në kërkim shtetasit F. F., 32 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe C. B., 32 vjeç, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi i arrestuar R. F. ka fyer një të mitur të proceduar në gjendje të lirë. Si pasojë, 17-vjeçari dhe miq të tij janë konfliktuar fizikisht, me shtetasin R. F., vëllanë e tij, shtetasin S. F., dhe me miq të këtyre të fundit. Më pas, i mituri dhe miqtë e tij kanë shkuar me motomjete, te banesa e vëllezërve, nga ku dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në drejtim të motomjeteve, vëllai tjetër i tyre, shtetasi i shpallur në kërkim, F. F., pa dëmtuar askënd. Punohet për kapjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin me prova ligjore të rrethanave të këtij rasti. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme