Vatrat e zjarreve në vend, eksperti: Duhen investime në kapacitete dhe teknologji për ndërhyrje
Situata e rënduar e vatrave të zjarrit mbrëmjen e kaluar në zonat e pyllëzuara në Tiranë kërkon angazhim dhe investime në kapacitete dhe teknologji.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Faton Softa, rendit për Radio Televizionin Shqiptar disa nga drejtimet ku mund të ndërhyhet, në mënyrë që vatrat e zjarreve të evidentohen në kohë dhe pasojat të mos jenë të rënda.
“Shqipëria ende nuk ka një shkollë për shërbimin zjarrfikës. Ka vetëm kurse që bëhen në akademi. Mjetet janë të vjetra, të viteve ’75, ’74. Ende nuk ka korridore ndarëse midis pyjeve. Investimet duhet të rriten për mbrojtjen nga zjarri, duke futur edhe shërbimet vullnetare. Kjo kërkon ndoshta një investim më të madh, jo vetëm te burimet njerëzore, por edhe te teknologjia ndaj tyre, duke menduar jo vetëm për pyjet. Nuk mund të investojmë vetëm për mbrojtjen e pyjeve, do të investojmë dhe për mbrojtjen e zonave banuese”, tha Softa.
Sipas tij, duhet të verifikohet çdo rast apo çdo individ i përfshirë në zjarrvënie të qëllimshme.
“Kodi Penal ka dhe bëhet gjithmonë më agresiv, por agresiviteti vjen te parandalimi. Në qoftë se ti e bëre dëmin dhe dëmi ka krijuar ato pasoja të cilat mund të vijnë për shumë qëllime. Qëllimet mund të jenë padija, nënvlerësimi, niveli arsimor, duke menduar që nuk mund të jetë, por dhe pjesa tjetër që mund të jenë të shtyrë dhe mund të kenë qëllime të tjera”, tha ai.
Sipas të dhënave të Policisë së Shtetit, në dy muajt e fundit janë arrestuar 21 persona, të gjithë për shkatërrim të pronës me zjarr, ndërsa 44 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Policia është ende në kërkim të tre personave, ndërsa totali i të përfshirëve në ndezjen e zjarreve është 68 persona.
Në shtatë raste autorët e dyshuar mbeten të paidentifikuar. Për 10 ngjarje të tjera vijojnë verifikimet nëse bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme apo për shkaqe të tjera. Ndërkohë, 10 raste u klasifikuan si aksidentale, pasi hetimet nuk nxorën elemente të një vepre penale.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



