Maska silikoni, armë dhe motomjet/ Zbardhet vjedhja e argjendarisë në Kamëz, arrestohet një prej autorëve

Aktualitet | 3 muaj më parë

Arrestohet një prej autorëve të grabitjes së argjendarisë në Kamëz, ngjarje kjo e ndodhur më 5 gusht. Policia ka bërë me dije se në kuadër të operacionit të koduar “Gold”, u arrestua A. K., 35 vjeç, banues në Laç.

Sipas hetimeve, ai dyshohet se ka kryer vjedhjen në bashkëpunim me një person tjetër, ende të paidentifikuar, dhe më pas të dy janë larguar nga vendngjarja me një motomjet. Gjatë hetimit, policia ka sekuestruar një sërë provash materiale që dyshohet se lidhen me autorët dhe ngjarjen. Më 6 gusht, në një zonë të pyllëzuar në fshatin Zgafnur, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri automatike, një krehër me fishekë, një skafandër motoçiklete e lyer me ngjyrë gri, dy maska silikoni, një palë doreza dhe veshje të tjera.

Sipas policisë, këto sende dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së vjedhjes. Ndërkohë, më 9 gusht, në zonën e “Liqenit të Qinamit”, në fshatin Qinam, u gjet dhe u sekuestrua edhe motomjeti që dyshohet se është përdorur për largimin e autorëve pas vjedhjes.

Njoftimi i plotë:

Kamëz/Vijojnë veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të vjedhjes së një sasie bizhuterish në një argjendari në Kamëz, më datë 05.08.2026.    Identifikohet, kapet dhe vihet në pranga njëri prej autorëve të dyshuar. Sekuestrohen gjatë periudhës së hetimit arma e zjarrit automatik, motomjeti, veshjet, maska silikoni dhe një krehër me fishek. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 5, si rezultat i punës intensive hetimore dhe procedurale, të kryer për disa javë, me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, kanë finalizuar operacionin e koduar “Gold”, duke bërë të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit: -A. K., 35 vjeç, banues në Laç.

Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me një shtetas tjetër ende të paidentifikuar, më datë 05.08.2026, kanë vjedhur një sasi bizhuterish në një argjendari dhe më pas janë larguar me një motomjet.  Në vijim të veprimeve të pandërprera hetimore dhe kërkimeve intensive në terren, më datë 06.08.2026, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Zgafnur, u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri automatike, një krehër me fishekë, një skafandër motoçiklete e lyer me ngjyrë gri, dy maska silikoni, një palë doreza, si dhe veshje të tjera që dyshohet se janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprës penale.

Gjithashtu, më datë 09.08.2026, në vendin e quajtur “Liqeni i Qinamit”, fshati Qinam, u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një motomjet i cili dyshohet se është përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprës penale. Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorit tjetër, si dhe për dokumentimin e plotë të rastit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Vjedhja me dhunë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme