Rregulla të reja për pasuritë shtetërore, standardizohet verifikimi i objekteve me interes kulturor

Kulturë | 2 muaj më parë

Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka miratuar një udhëzim të ri, i cili synon të rregullojë dhe standardizojë procesin e identifikimit dhe dokumentimit të pasurive të paluajtshme në pronësi shtetërore, të cilat mbartin vlera të mundshme të trashëgimisë kulturore.

Udhëzimi detyron institucionet shtetërore që administrojnë këto prona të nisin një proces të gjerë skanimi, duke përpiluar lista dhe skeda përshkruese të detajuara për çdo objekt që plotëson kriteret historike.

Kriteret e përzgjedhjes së objekteve

Procesi i verifikimit nuk do të përfshijë çdo godinë shtetërore, por vetëm ato që plotësojnë kushte specifike të përcaktuara qartë në dokument. Mosha e objektit dhe rëndësia e tij historike janë faktorët kryesorë.

Sipas nenit 4 të udhëzimit, në këtë proces përfshihen pasuritë që “janë ndërtuar ose krijuar më shumë se 70 vjet para datës së hartimit të listës, apo që paraqesin indicie për vlera historike, artistike, arkitektonike, arkeologjike ose etnografike.”

Gjithashtu, pjesë e listave do të bëhen edhe objektet që ndodhen brenda qendrave dhe ansambleve historike, apo zonave arkeologjike të mbrojtura.

Procedura e verifikimit dhe skedat përshkruese

Institucionet administruese, në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, janë të ngarkuara të përgatisin “skeda përshkruese” për çdo objekt. Këto dosje do të përmbajnë të dhëna administrative, juridike, teknike, historike, si dhe dokumentacion fotografik e hartografik.

Të gjitha dosjet do të dërgohen për shqyrtim pranë Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore (IKTK), i cili ka një afat prej 15 ditësh pune për të bërë verifikimin e plotësisë së tyre. Në rast pasaktësish, institucioneve u lihet një afat shtesë deri në 20 ditë për të bërë korrigjimet e nevojshme.

Ndikimi në pronësi dhe administrim

Një nga pikat më të rëndësishme të këtij udhëzimi është sqarimi i statusit juridik të objekteve pasi ato të shpallen “pasuri kulturore”. Për të shmangur paqartësitë institucionale, dokumenti saktëson se marrja e këtij statusi nuk ndryshon pronarin e godinës.

“Deklarimi i një pasurie të paluajtshme shtetërore si pasuri kulturore nuk sjell ndryshimin e pronësisë ose të institucionit administrues të saj,” theksohet në udhëzim.

Megjithatë, saktësohet se institucioni administrues tashmë do të jetë i detyruar të respektojë kufizimet dhe kërkesat e rrepta që rrjedhin nga legjislacioni në fuqi për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Në përfundim të këtij procesi, pasuritë që marrin miratimin përfundimtar nga ministri përgjegjës do të regjistrohen zyrtarisht në Bazën e të Dhënave Shtetërore “Regjistri Kombëtar i Pasurive Kulturore”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme