250 të lënduar çdo ditë, Spitali i Traumës fluks të lënduar nga aksidentet rrugore

Sociale | 2 muaj më parë

Rreth 250 persona përfundojnë çdo ditë në Spitalin Universitar të Traumës me goditje të ndryshme që lënë pasoja të rënda invalidizuese për jetën. Aksidentet rrugore zënë pjesën dërmuese të urgjencave, ndërsa politraumat shkaktojnë edhe pasoja fatale.

Mjekët raportojnë se gjatë kësaj periudhe dominojnë traumat e gjymtyrëve, me rreth 100 raste në ditë, por të shpeshta mbeten edhe dëmtimet e kokës dhe shtyllës kurrizore.

“Me përafërsi mund të kemi rreth 250 raste në ditë në urgjencë. Po flasim për të gjitha llojet e traumave, që nga ato me energji të ulët deri tek ato me energji të lartë. Traumat me energji të ulët janë dëmtimet më të thjeshta, si ato të gishtave, duarve, kontuzione, distorsione apo fraktura të një anësie. Ndërsa traumat me energji të lartë përfshijnë aksidentet automobilistike, rrëzimet nga lartësitë dhe politraumat e rënda, të cilat kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme dhe multidisiplinare. Mesatarisht, vetëm nga aspekti ortopedik, ne mund të shohim deri në 70 raste në ditë, duke filluar nga dëmtimet më minimaliste e deri tek aksidentet e rënda me energji të lartë.” – tha Ilir Hasmuca, doktor ortoped.

Sezoni i verës sjell rritje të traumave të lidhura edhe me incidentet në ujë, rrëzimet nga lartësitë dhe dëmtimet e fëmijëve gjatë lojërave. Me shtimin e lëvizjeve dhe fluksit të turistëve, mjekët këshillojnë më shumë kujdes gjatë udhëtimeve dhe aktiviteteve verore.

“Tentojmë të kapim kohën dhe të bëjmë shumë gjëra njëkohësisht. Patjetër që kjo automatikisht do të përkthehet edhe me mbilodhje, shpeshherë edhe me përdorim të substancave siç është alkooli. Ky spital është qendra unike, terciare e vetme në vend që trajton këto lloj dëmtimesh. Të gjitha rrethet japin ndihmën e parë, por nuk mund të bëjnë trajtimin përfundimtar. Trajtimi i plotë dhe përfundimtar bëhet vetëm te ne.”

Qytetet bregdetare mbeten pikat e urgjencave, me shumë raste që mbërrijnë nga plazhet dhe rrugët që lidhin zonat turistike me bregdetin.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme