Egnatia “dorëzohet” në kohën shtesë, aventura europiane vazhdon në Conference League

Egnatia ishte shumë pranë mrekullisë, por nuk arrin që të kalojë “pengesën” Lillestrom për të siguruar një vend në fazën e grupeve të Europa League.
Rrogozhinasit kalojnë në avantazh me Sotën, por norvegjezët barazojnë shifrat në fundin e pjesës së dytë. Koha e rregullt mbyllet në barazim 1-1. Vendasit shënojnë golin e avantazhit sapo fillon koha shtesë dhe fitojnë gjithë takimin 2-1.
Lillestrom kualifikohet, Egnatia largohet me kokën lart nga Norvegjia dhe do të vazhdojë rrugëtimin e saj europian në fazën e grupeve të Conference League.
Ndeshja e transmetuar drejtpërdrejt në RTSH ka qenë e bukur dhe plot emocione. Norvegjezët mundohen të kontrollojnë lojën në fillimin e sfidës, por pa rrezikuar portën e Egnatias. Rrogozhinasit kalojnë në avantazh me Sotën, që dërgon në rrjetë një top të ardhur nga këndorja.
Egnatia nis shumë mirë pjesën e dytë dhe i afrohet golit me Loukilin dhe Albanesen. Djemtë e Nevil Dedes nuk arrijnë që të menaxhojnë avantazhin dhe vendasit barazojnë 8 minuta para përfundimit të takimit me Fos. Koha e rregullt mbyllet në barazim 1-1 dhe sapo fillon shtesa Lillestrom kalon në avantazh me Olsen. Pavarësisht përpjekjeve, Egnatia nuk arrin që të evitojë humbjen.
Mbyllet 2-1 ndeshja, rrogozhinasit do të vazhdojnë rrugëtimin europian në fazën e grupeve të Conference League dhe nesër do të mësojë kundërshtarët e fazës së grupeve.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



