Nga Norvegjia në Durrës/ “Fast” kap 28-vjeçarin e kërkuar ndërkombëtarisht për drogë dhe kanosje

Aktualitet | 2 muaj më parë

Një 28-vjeçar me origjinë norvegjeze, i akuzuar në Norvegji për krime kundër personit dhe kundër qetësisë publike, dhe në Shqipëri, për krime në fushën e narkotikëve është vënë në prangat e bluve të Durrësit.

28-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar sepse autoritetet gjyqësore norvegjeze, në muajin prill, 2026, kanë lëshuar urdhër arresti për të, për kanosje dhe për prishje të qetësisë publike.

28-vjeçari i arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Fast”  do të ekstradohet drejt Norvegjisë.

Njoftimi i plotë:

Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me DVP Durrës, një tjetër fazë e operacionit të koduar “Fast”. I akuzuar në Norvegji, për krime kundër personit dhe kundër qetësisë publike, dhe në Shqipëri, për krime në fushën e narkotikëve, kapet te zona e quajtur “Plepat”, Durrës, shtetasi norvegjez.

Në vijim të koordinimit informativ dhe operacional, nëpërmjet Interpol Tiranës, me homologët në Norvegji, me objektiv lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, specialistët e Sektorit për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSh, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Durrës, finalizuan një tjetër fazë të operacionit të koduar “Fast”, si rezultat i të cilit u lokalizua te zona e quajtur “Plepat”, dhe u arrestua provizorisht shtetasi norvegjez, S. T., 28 vjeç.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, sepse autoritetet gjyqësore norvegjeze, në muajin prill, 2026, kanë lëshuar urdhër arresti për të, për kanosje dhe për prishje të qetësisë publike. Ndërkaq, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, në muajin maj, 2026, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet norvegjeze, vijon procedurën për ekstradimin e 28-vjeçarit, në Norvegji.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme