Begaj pret Ambasadoren e re të Zvicrës në Shqipëri: Forcim i marrëdhënieve dhe rritje e investimeve

Politikë | 2 muaj më parë

Presidenti Bajram Begaj, priti në një takim Ambasadoren e re të Konfederatës Zvicerane në Shqipëri, Sh. S. Dr. Siri Walt, me rastin e prezantimit të Letrave Kredenciale.

Presidenti Begaj i përcolli Ambasadores Walt urimet më të mira për fillimin e detyrës së saj në Shqipëri dhe shprehu besimin se mandati i saj do t’i shërbejë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.

Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet e ngushta dhe miqësore Shqipëri – Zvicër, të mbështetura në vlera të përbashkëta evropiane, dialogun e rregullt politik dhe një bashkëpunim të gjerë në fusha me rëndësi të veçantë, përfshirë qeverisjen, zhvillimin ekonomik, arsimin dhe formimin profesional, shëndetësinë, qeverisjen vendore dhe mbrojtjen e mjedisit.

Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës në proceset e zhvillimit demokratik, ekonomik dhe social të Shqipërisë, si dhe për kontributin e saj në forcimin e institucioneve dhe qeverisjes vendore përmes programeve të bashkëpunimit për zhvillim dhe asistencës teknike.

Kreu i Shtetit çmoi në mënyrë të veçantë investimet e qeverisë zvicerane në zonat rurale.

“Ne kemi njerëz dhe një natyre të mrekullueshme. Investimet në këto zona në rritjen e cilësisë së jetesës janë një investim që bëjmë për brezat e rinj. Gjithashtu, ruajta e trendit pozitiv që Shqipëria ka në turizëm ndihmohet shumë nga këto investime”, u shpreh Presidenti i Republikës.

Presidenti Begaj theksoi rëndësinë e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe mirëpriti rritjen e investimeve dhe praninë e shtuar të bizneseve zvicerane në Shqipëri.

Në takim u vlerësua  roli i rëndësishëm i Diasporës shqiptare në Zvicër, si një urë e fortë lidhëse mes dy vendeve dhe popujve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme