Lirohen 14 protestuesit e arrestuar, Dhoma Penale e gjykatës: Arrestimi i tyre ishte i paligjshëm !
Dhoma Penale e Gjykatës së Tiranës liroi nga qelia 14 protestuesit e arrestuar dy ditë më parë.
Në vendimin e dhënë, trupa gjyqësore tha se arrestimi i tyre ishte i paligjshëm.
“Po konstatimin e paligjshëm të arrestit për të 14 protestuesit, gjykata nuk konstatoi në asnjë rast që të kemi të bëjmë me tubim të paligjshëm. Tubimi ka qenë i ligjshëm, i njoftuar siç parashikon ligji, dhe konstatimi i paligjshëm i arrestit pas sjellë edhe lirimin e menjëhershëm, pa asnjë masë shtrënguese.
Ishte ora 10: 00 kur 14 protestuesit e arrestuar të martën dolën para Dhomës Penale ku u vlerësuan masat e sigurisë të dhëna më herët.
Prokuroria e Tiranës kërkoi masën “detyrim paraqitje” dhe “ndalim i qëndrimit në vende te caktuara” për të gjithë protestuesit, ndërsa mbrojtja ligjore kërkoi të hetohen pa masë sigurie.
Ata u arrestuan, pasi bllokuan hyrje-daljet e kryeministrisë teksa brenda ndodhej edhe kreu i qeverisë, Edi Rama.
Sipas policisë, protestuesit, në mënyrë të organizuar, kërcënuan perimetrin e sigurisë së institucionit të rëndësisë së veçantë dhe penguan qarkullimin e mjeteve të transportit dhe lëvizjen e lirë e personaliteteve të larta shtetërore.
U arrestuan në flagrancë protestuesit: D. G., 50 vjeç; J. M., 38 vjeç; E. L., 28 vjeç; E. A., 35 vjeç; S. B., 50 vjeç; L. Gj., 47 vjeç; V. Sh., 52 vjeç; F. M., 22 vjeç; D. A., 29 vjeç; B. M., 34 vjeçe; A. Ll., 28 vjeçe; Y. B., 38 vjeç; A. K., 46 vjeç dhe A. D., 30 vjeç.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



