“Çdo shkelje afati do të ketë përgjegjës”, Rama paralajmëron administratën: Prioritet përgjigjja ndaj qytetarëve

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa ndaj drejtuesve të administratës që nuk respektojnë afatet për dhënien e përgjigjeve dhe zgjidhjen e çështjeve të qytetarëve.
Gjatë mbledhjes me drejtues të administratës, Rama tha se me projektin e ri të Pasqyra Albania do të përcaktohet qartë përgjegjësi për çdo vonesë dhe se kostoja do t’i faturohet personit përgjegjës.
Sipas Kryeministrit, respektimi i afateve duhet të jetë prioriteti kryesor i drejtuesve dhe zëvendësministrave, të cilët duhet të analizojnë çdo ditë numrin e përgjigjeve të dhëna, ato që duhet të jepen dhe rastet kur afatet janë shkelur.
Rama kërkoi që çështjet që pengohen nga ndalesa ligjore të kategorizohen dhe të marrin një përgjigje të qartë nga vendimmarrësit, duke kritikuar situatat kur qytetarët mbahen në pritje pa një përgjigje përfundimtare.
“Kur ti i vonon dhe del nga afati, ti duhet të marrësh koston tënde dhe këtë gjë ne do ta bëjmë me ligjin e Pasqyrës, në të cilin ne do të përcaktojmë se çdo shkelje afati duhet të ketë përgjegjësin dhe përgjegjësi duhet të marrë koston.
Të gjitha ato çështje që kanë ndalesë ligjore duhen ndarë në kategori të ndryshme dhe në atë moment pastaj është çështja e vendimmarrësve që të thonë: ‘Kjo ndalesë zgjidhet, kjo ndalesë duhet të qëndrojë’. Dhe njerëzve u duhet thënë kjo: ‘Nuk bëhet’. ‘Edhe po, edhe jo, as mish, as peshk, as këtej, as andej’ quhet torturë, nuk quhet përgjigje.
Zëvendësministrat që janë të përcaktuar duhet ta kenë këtë prioritetin numër një të punës së tyre të përditshme. Duhet ta nisin ditën me sa përgjigje u dhanë dje, sa përgjigje duhen dhënë sot dhe sa përgjigje nuk u dhanë në kohë dhe duhet të merren pastaj me ato përgjigje që nuk u dhanë në kohë. Pse nuk u dhanë?””, tha kreu i qeverisë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




