Karakaçi: Krijojmë Autoritetin Kombëtar për Sigurinë Hidrokarbure

Politikë | 2 orë më parë

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri me dije pas mbledhjes së qeverisë se është propozuar një projektligj i ri për mbajtjen e rezervës së sigurisë hidrokarbure. Sipas ministrit, projektligji synon që rezervat e sigurisë hidrokarbure të mbahen dhe menaxhohen nga një autoritet shtetëror, duke garantuar sigurinë e furnizimit dhe përdorimin e tyre në rastet e parashikuara nga ligji.

“Propozojmë që mbajtja e rezervës së sigurisë hidrokarbure të bëhet nga një autoritet shtetëror, duke garantuar siguri absolute dhe totale, si dhe përdorimin e saj në kushtet përkatëse, sipas ligjit. Mbajtja e rezervës është e nevojshme për momentet kur ka pasiguri në treg për produktin apo kur, në kushte të caktuara, produkti mungon në treg”, deklaroi Karakaçi.

Ai shpjegoi se rezervat do të përdoren në situata kur në treg krijohen pasiguri për furnizimin me produkte hidrokarbure apo kur këto produkte mungojnë. Projektligji parashikon krijimin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Hidrokarbure, i cili do të ketë përgjegjësinë për krijimin, ruajtjen dhe menaxhimin e rezervave të sigurisë.

Ky projektligj vendos krijimin e një Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Hidrokarbure, që ka për detyrim të krijojë rezervat e sigurisë hidrokarbure dhe t’i menaxhojë ato, duke i ruajtur në magazinat përkatëse dhe duke i hedhur në treg herë pas here, që të mos humbasin cilësitë e tyre ekonomike”, tha ministri.

Sipas Karakaçit, mekanizmi synon të garantojë furnizimin e tregut edhe në raste krizash apo ndërprerjesh të mundshme të furnizimit. Ministri bëri të ditur gjithashtu se projektligji është në përputhje të plotë me direktivën përkatëse të Bashkimit Evropian, duke synuar përafrimin e kuadrit ligjor shqiptar me standardet evropiane për sigurinë e furnizimit me hidrokarbure.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme