Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së, Britania e Madhe: Vendimi nuk është gjykim mbi shtetësinë apo sovranitetin e Kosovës

Britania e Madhe ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke bërë thirrje për qetësi dhe duke theksuar se aktgjykimi nuk duhet të interpretohet si një vendim ndaj Kosovës apo luftës së saj për të ardhmen politike.
Ministri britanik për Evropën, Lord Wood of Anfield, deklaroi se Mbretëria e Bashkuar respekton pavarësinë e gjykatës dhe procesin e saj gjyqësor, ndërsa mbetet e angazhuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në rajon.
Por Londra bëri një dallim të rëndësishëm mes përgjegjësisë individuale të personave të gjykuar dhe Kosovës si shtet.
“Vendimi i sotëm i Dhomave të Specializuara të Kosovës është një moment i rëndësishëm, por nuk është një gjykim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj”, deklaroi ministri britanik.
Ai theksoi se Britania mbetet “mik dhe partner i ngushtë i Kosovës” dhe se vazhdon të mbështesë fuqishëm sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të saj.
Në reagim, Londra rikujtoi gjithashtu rolin e saj gjatë luftës së vitit 1999.
“Jemi krenarë për rolin që luajtëm së bashku me aleatët e NATO-s për të ndihmuar në parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”, tha Lord Wood.
Qeveria britanike theksoi gjithashtu se gjetjet e Dhomave të Specializuara kanë të bëjnë me individët e gjykuar dhe paralajmëroi kundër përdorimit të vendimit për të nxitur tensione ndërmjet komuniteteve apo në rajon.
Sipas ministrit britanik, në këtë moment drejtuesit politikë dhe figurat publike kanë përgjegjësi të nxisin qetësinë, të sigurojnë që reagimet të mbeten paqësore dhe të vendosin sigurinë e qytetarëve në plan të parë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



