Aktgjykimi i Hagës për ish-krerët e UÇK-së, Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH znj. Vasili: Vendim i padrejtë. Historia meriton të rishkruhet me të vërtetat e saj

Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, znj. Eni Vasili, ka reaguar për vendimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Gjatë ceremonisë ku u prezantua edhe logo e re e RTSH, Znj. Vasili shprehu shqetësimin edhe për aktgjykimin e Hagës, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe duke theksuar rëndësinë e procesit të apelimit.
“Shpreh shqetësimin lidhur me vendimin e marrë sot në Hagë. Sigurisht, ky është një vendim i padrejtë dhe këtë e kanë thënë të gjithë shqiptarët. Sigurisht, apeli i këtij akti tregon vendosmëri, tregon integritet dhe historia meriton të rishkruhet me të vërtetën e saj. Jam e bindur që kështu do të ndodhë”, u shpreh znj.Vasili.
Deklarata e znj.Vasilit vjen pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, të cilët u dënuan nga shkalla e parë e Dhomave të Specializuara në Hagë me 81 vite burg.
Vendimi është i apelueshëm dhe procesi gjyqësor pritet të vijojë në shkallët e tjera të drejtësisë.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vjet burgim, ndërsa ish-kryeparlamentari dhe zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi, me 25 vjet. Kadri Veseli u dënua me 18 vjet burgim, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




