Identiteti i ri vizual, Radka Betcheva: EBU mbështet transformimin e RTSH-së

Radio Televizioni Shqiptar ka prezantuar identitetin e ri vizual dhe sezonin e ri televiziv, në një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, ministra, gazetarë, artistë dhe figura të njohura të botës së medias dhe artit.
Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe Radka Betcheva, Drejtuese e EBU-së për Marrëdhëniet me Anëtarët për Evropën Qendrore dhe Lindore, e cila vlerësoi ndryshimet e ndërmarra nga RTSH dhe theksoi mbështetjen e Unionit Evropian të Transmetuesve për procesin e transformimit të transmetuesit publik shqiptar.
Në fjalën e saj, Betcheva e cilësoi prezantimin e logos së re, sezonit të ri televiziv, figurave të reja në ekran dhe platformës OTT si pjesë të një agjende ambicioze.
“Është një kënaqësi e madhe të jem me ju sonte dhe të përfaqësoj Unionin Evropian të Transmetuesve në këtë moment kaq të veçantë për RTSH-në. Para së gjithash, urime drejtimit, organeve drejtuese dhe, mbi të gjitha, të gjithë njerëzve të RTSH-së që kanë punuar me shumë përkushtim për të bërë të mundur atë që shohim sonte”, u shpreh ajo.
Ajo theksoi se ajo që po prezantohet nuk është vetëm një ndryshim estetik apo një sezon i ri televiziv, por një proces më i gjerë transformimi.
“Një identitet i ri vizual, një sezon i ri televiziv, figura të reja në ekran, një platformë e re OTT dhe shumë projekte të reja, kjo është një axhendë ambicioze. Mendoj se drejtimi i ri meriton vlerësim për këtë ambicie dhe për energjinë e re që po sjell në RTSH”, tha znj. Betcheva.
Znj. Betcheva u ndal edhe te ndryshimet që po përjeton media publike në të gjithë Evropën, duke theksuar se zhvillimi teknologjik dhe mënyra e re e konsumimit të përmbajtjeve po ndryshojnë edhe pritshmëritë e audiencave.
“Ajo që po shohim sonte është më shumë sesa prezantimi i një sezoni të ri. Është fillimi i një transformimi më të gjerë të RTSH-së. Dhe transformimi është i nevojshëm. Mediat e shërbimit publik në të gjithë Evropën po ndryshojnë, sepse edhe audiencat tona po ndryshojnë”, tha ajo.
Një tjetër pikë e rëndësishme e fjalës së saj ishte platforma OTT, e cila pritet të zgjerojë mënyrat përmes të cilave publiku mund të aksesojë përmbajtjet e RTSH-së.
“Platforma e re OTT është një shembull shumë i mirë. Të shkosh aty ku ndodhet sot audienca nuk do të thotë të largohesh nga misioni i shërbimit publik. Përkundrazi, kjo është pikërisht ajo që kërkon përmbushja e këtij misioni”, tha znj. Betcheva
Betcheva theksoi se RTSH nuk është e vetme në këtë proces dhe se EBU do të vijojë ta mbështesë transmetuesin publik shqiptar.
“EBU është një familje me më shumë se 100 organizata të medias së shërbimit publik. Brenda anëtarësisë sonë ekziston një përvojë e jashtëzakonshme në transformim, zhvillim digjital, teknologji, përmbajtje dhe inovacion. Ne jemi këtu për ta ndarë këtë përvojë dhe për të mbështetur RTSH-në gjatë këtij udhëtimi”, tha znj. Betcheva.
Përfaqësuesja e EBU-së tha se mediat publike duhet të zhvillohen së bashku me audiencat, duke ruajtur misionin e tyre.Betcheva vlerësoi gjithashtu fokusin e RTSH-së te njerëzit që punojnë pas programeve dhe shërbimeve të transmetuesit publik.
“Mediat e shërbimit publik nuk mund të qëndrojnë në vend. Ne duhet të zhvillohemi së bashku me audiencat tona, duke qëndruar njëkohësisht besnikë misionit tonë të shërbimit publik. Më pëlqen veçanërisht fakti që RTSH po tregon edhe anën e saj njerëzore, njerëzit që qëndrojnë pas programeve dhe shërbimeve që ne shohim dhe dëgjojmë çdo ditë”, tha ajo.
Ajo e cilësoi këtë element si një kujtesë se pas çdo programi, edicioni lajmesh, shërbimi radiofonik apo platforme digjitale qëndrojnë profesionistë me përvojë, kreativitet dhe përkushtim.
“Fushata që prezanton njerëzit që punojnë këtu është një kujtesë e bukur se pas çdo programi, çdo edicioni lajmesh, çdo zëri në radio, çdo kamere dhe çdo shërbimi digjital qëndrojnë njerëzit, njerëz me përvojë, kreativitet, dije dhe përkushtim. Dhe pikërisht këta njerëz do të jenë në qendër të transformimit të RTSH-së”, u shpreh ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




